Të katër interpelancat e dorëzuara nga Fronti Evropian për anëtarët e qeverisë nuk kaluan. Deputetët në Kuvend debatuan deri në orët e mbrëmjes kurse akuzat ndaj ministrave dhe zv.ministrit bazoheshin kryesisht në nxitjen e destabilizimit dhe prishjen e raporteve ndëretnike në zhvillimet para, gjatë dhe pas festimeve të 28 Nëntorit.
Nisma ndaj zv.kryeministrit Izet Mexhiti mori tre vota për dhe 64 kundër.
“Interpelanca – gënjeshtra të cilën as vetë nuk e besuan!”, ka thënë Izet Mexhiti, zv.kryeministër.
Dështoi edhe Interpelanca ndaj Ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski. Ai e konsideroi nismën si përpjekje për defokusim të opinionit.
“Interpelanca e djeshme e dorëzuar nga BDI ishte vetëm një përpjekje e thjeshtë për të shpërqendruar opinionin nga ajo që kemi bërë muajt e fundit, e cila është një luftë e pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe vënia para drejtësisë e të gjithë atyre që kanë vjedhur armiqësisht popullin në vitet e fundit, duke shkaktuar dëme të mëdha për shtetin”, ka reaguar Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.
Në të njëjtën vijë ishte edhe reagimi i zv.kryeministrit Ivan Stoillkoviq.
“Më akuzuat për paaftësi, e pranoj vlerësimin tuaj, ndihem vërtet i hendikepuar pasi nuk mund të jem i korruptuar dhe kriminel, si ministri juaj, paraardhësi im, prandaj i kërkoj falje gjithë opinionit maqedonas për një paaftësi të tillë. Ju bëj thirrje, në vend që të përhapni urrejtje dhe të shkaktoni tensione ndëretnike dhe destabilitet politik, të imagjinoni se sa të tjerë nga radhët tuaja do të përfundojnë në listat e zeza dhe sa do të përballen me akuza penale”, tha Ivan Stoillkoviq, zv.kryeministër.
Interpelancë kishte edhe ndaj zv.ministrit të Brendshëm Astrit Iseni, e cila po ashtu nuk moti votat e nevojshme për miratim.
Fronti Evropian nuk është prononcuar pas dështimit të interpelancave.
Seanca e një ditë më parë nisi me diskutimin mbi interpelancën e Të Majtës për kryetaren e Komisionit për politikë sociale Ilire Dauti, e cila ishte e vetmja që u miratua./