Aeroporit të Shkupit do t’i shtohet linjë direkte nga Shkupi në Amsterdam, e cila është një mundësi e madhe për turizëm, si dhe kompania ajrore EasyJet ka dorëzuar zyrtarisht dokumentet në ministri për linjën Shkup-Paris deri në Aeroportin Orly, që është më afër qendrës së Parisit, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se në periudhën në vijim pritet që të konfirmohen edhe 3-4 destinacione, në të cilat do të kryhen fluturime nga aeroportet e Maqedonisë.
Për gjendjen në të cilën i ka gjetur aeroportet në vend si ministër, ai theksoi:
“Në kushtet kur aeroporti i Prishtinës tejkalon aeroportin e Shkupit, ndërsa aeroporti i Ohrit do të ketë konkurrencë serioze në aeroportin e Vlorës, i cili aktualisht është duke u ndërtuar, si dhe në aeroportet më të vogla greke në pjesën veriore të Greqisë, kam kuptuar se duhet të bëjmë një ndryshim drastik. Atë ndryshim e bëmë me politikën e subvencionimit të fluturimeve, ku së pari subvencionet do të shkojnë për pasagjer që vjen në Maqedoni dhe jo për pasagjer që largohet nga vendi, siç është bërë nga qeveria e kaluar. Së dyti, subvencionet janë rritur në mënyrë drastike dhe për aeroportin e Ohrit janë më të larta se aeroporti i Shkupit, për të tërhequr turistë. Kjo dha rezultatet e para dhe tashmë kemi 8 linja të reja. Nga Shkupi do të ketë fluturime drejt Dubait, Barcelonës, Lionit dhe Shtutgartit, ndërsa nga Ohri, si destinacione janë konfirmuar Bazeli dhe aeroporti kryesor i Stambollit”, tha Nikolloski, i cili shtoi se lidhja me këtë aeroport në Stamboll tashmë ka sjellë rezervime të biletave nga Sidnej, Uashington, Toronto dhe kryeqytete të tjera botërore për në Ohër”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Kujtojmë se linja ajrore hungareze Wizz Air po tërhiqet nga aeroporti i Salzburgut në Austri, duke anuluar fluturimet për në Shkup, Bukuresht dhe Londër.
Sipas njoftimeve në mediat austriake, nga 10 janari do të anulohen linjat drejt Shkupit dhe Bukureshtit, ndërsa nga 22 shkurti do të anulohen fluturimet për në Londër.
Sidoqoftë, biletat nga Shkupi në Salzburg mund të blihen në faqen e internetit të Wizz Air deri në fund të marsit.
Një nga arsyet e tërheqjes së Wizz Air është kostoja e tarifave të aeroportit, thotë zëdhënësi i aeroportit të Salzburgut, Alexander Klaus.
Wizz Air ka anuluar gjashtë linja nga Aeroporti i Shkupit në vitin 2024. Me fillimin e sezonit të fluturimeve dimërore, fluturimet për në Koln, Kopenhagë dhe Stokholm-Skavsta janë anuluar, pas Krishtlindjeve nuk do të ketë fluturime për në Bremen, si dhe shitjet e biletave për në Salzburg janë pezulluar gjithashtu që nga prilli. Luksemburgu u ndërpre vetëm pas dy muajsh fluturim.
Në vitin 2023, në njoftimin e Qeverisë për subvencionimin e kompanive ajrore, Wizz Air ka marrë subvencione për fluturimet për në Lubjanë, Salzburg, Luksemburg dhe Shtutgart, por nga këto linja operon vetëm linja ajrore Shkup-Lubjanë. Në njoftimin e ri të qeverisë të publikuar në vjeshtën e vitit 2024, linja ajrore hungareze me kosto të ulët ka marrë subvencione për Lionin, Barcelonën dhe Shtutgartin, të cilat nuk u bënë kurrë funksionale edhe pse ishte përzgjedhur në njoftimin e mëparshëm. Sipas marrëveshjes së subvencionit, Wizz Air do t’i operojë këto linja për tre vjet.