Një Dashuri që Nuk Njeh Kufij

Ka momente që na ndalojnë frymën dhe na kujtojnë kush jemi, nga vijmë dhe sa të fuqishme janë lidhjet që na bashkojnë. Sot është një nga ato momente. Sot, këndi i lojërave në parkun e Tateshit të Epërm nuk është thjesht një hapësirë për fëmijët tanë, por një pasqyrë e shpirtit tonë – e dashurisë së pakushtëzuar, e sakrificës dhe përkushtimit që kapërcen çdo kufi.

Fondi i Tateshit të Epërm në Zvicër, ju që ndatë nga mundi juaj, nga djersa juaj, nga netët e gjata dhe sakrificat larg vendlindjes, keni dhënë një dhuratë që s’ka çmim. Ju keni dhënë kujtesën se vendlindja nuk është thjesht toka ku jemi rritur, por zemra që rreh brenda çdo mërgimtari.

Këndi i lojërave që sot zbukuron parkun tonë është dëshmi e dashurisë tuaj, një dashuri që nuk është shuar as nga largësia, as nga vitet, as nga sfidat e jetës. Por kjo arritje nuk është vetëm një tregim për mërgimtarët tanë në Zvicër. Është një histori e vçantë për të gjithë mërgimtarët tanë anekënd botës që, pavarësisht largësisë, nuk harrojnë rrënjët e tyre.
Ju që ruani kujtimet e fshatit tonë, që flisni për Tateshin me mall në sofrat tuaja, që i mësoni fëmijëve tuaj dashurinë për këtë tokë. Ju jeni urat e lidhjes mes të shkuarës dhe të ardhmes sonë.

Dhe si mund të harrojmë bashkëfshatarët tanë që jetojnë këtu, ata që çdo ditë përpiqen, që nuk ndalen kurrë për të mbajtur të gjallë shpirtin e fshatit tonë. Çdo gozhdë e ngulur, çdo dorë ndihme, çdo ide e thjeshtë, bëhet një pjesë e një mozaiku që vetëm së bashku mund ta ndërtojmë. Ju jeni fryma e Tateshit, shtylla e tij, zemra që rreh çdo ditë.

Ky kënd lojërash është më shumë se një projekt. Është një kujtim i përjetshëm i dashurisë që na lidh të gjithëve. Çdo fëmijë që do të qeshë këtu, çdo prind që do të shikojë gëzimin në sytë e fëmijës së tij, do të përjetojë frytin e përpjekjeve tuaja.
Sa herë që shohim këtë kënd, le të kujtojmë se Tateshi jeton në zemrat e të gjithëve ne – në ato që janë larg dhe në ato që janë këtu. Sepse dashuria për vendlindjen nuk njeh kufij. Ajo është një thesar që e mbajmë brenda nesh dhe e ndajmë pa kushte, për brezat që vijnë pas nesh.

Lutemi që Zoti i Plotfuqishëm t’ju shpërblejë të gjithëve – ju që dhatë nga vetja, që sakrifikuat për të tjerët, që menduat për të ardhmen e këtij fshati. Ju jeni heronjtë e heshtur të kësaj toke, ata që shikojnë përtej të sotmes dhe ndërtojnë një të ardhme më të bukur për të gjithë.

Zoti ju bekoftë të gjithëve – qofshit në Zvicër, Austri, Gjermani, Itali, Amerik e në çdo cep të botës, dhe këtu, në Tateshin tonë të dashur.

E dijm që një “Falënderim”, duket shumë e vogël për të shprehur atë që me të vertetë e ndjejmë, por mbi të gjitha All-llahu ju Shpërbleftë!

Me shumë respekt, Forumi Rinor Tatesh i Epërm