Ministri i Ekologjisë Izet Mexhiti thotë se deponia e Rusinos do të modernizohet dhe pajiset me mjete adekuate. Për këtë qëllim sipas Mexhitit po punohet për sigurimin e kredisë prej 55 milionë eurosh.
“Po bëhen përpjekjet e fundit për finalizim pas marrjes së kredisë prej 55 milionë euro një pjesë e madhe e të cilave do dedikohen edhe për deponinë Rusino, me qëllim që deponia të pajiset me pajisje të reja dhe heqjen e të vjetrave që tani më shumë e rëndojnë këtë deponi. Gjitha këto pajisje do të jenë pronë e deponisë dhe me këtë dukshëm do ndikojë edhe me menaxhimin e deponisë edhe me organizimin financiar të saj. Me këtë kredi është paraparë po ashtu që edhe ndërmarrjet publike të nëntë komunave të pajisjen me kamionë adekuat me qëllim ngritjen e standardit të këtyre ndërmarrjeve, si dhe është paraparë ndërtimi i një transfer stacioni për mbeturinat edhe në Tetovë”, deklaroi Izet Mexhiti, Zv.kryeministër i parë.
Drejtoria e deponisë Rusino të Gostivarit për momentin po punon me humbje. Sipas drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, borxhlinjtë më të mëdhenj vazhdojnë të mbetet dy Ndërmarrjet publike, ajo e Tetovës dhe e Gostivarit.
“Sot patëm një takim dhe i informova rreth problemeve që hasim gjatë punës dhe planeve për vitin 2025. Realisht kemi probleme me grumbullimin e mjeteve financiare. Bëjmë takime të vazhdueshme me drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe shpresojmë të fillojnë të mbulohen. Borxhlinjtë më të mëdhenj prej 19 milionë denarësh janë Tetova dhe Gostivari, konkretisht ndërmarrjet publike. Kompania e re e formuar në Tetovë është shumë e rregullt me pagesa por jo edhe ndërmarrja publike komunale”, tha Sazan Horvati, Drejtor i Ndërmarrjes Rusino Gostivar.
Në fazën e dytë të ndërtimit të deponisë Rusino në Gostivar është paraparë edhe ndërtimi i një qendre për riciklim të mbetjeve. Mexhiti tha se planifikohet edhe formimi i policisë komunale në mënyrë që të shmanget krijimi i deponive të egra.