Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një komunikate lëshuar mediave, i ka bërë thirrje VMRO-DPMNE-së që të ndalojë me instrumentalizimin e institucioneve të shtetit. Nga BDI, tutje theksojnë se shqiptarët nuk kanë përfaqësues të mirëfilltë në Qeveri, por siç thonë integristët, kanë disa politikan të zgjedhur nga VMRO-ja për të luajtur rolin e “përfaqësuesve” të shqiptarëve.
Kumtesa e plotë e BDI-së.
“Edhe një herë i bëjmë thirrje VMRO-DPMNE së të ndalojë instrumentalizimin e institucioneve të shtetit dhe keqpërdorimim e faktit që shqiptarët sot nuk kanë përfaqësues të mirëfilltë në qeveri, por vetëm disa politikanë të korruptuar që ju i keni zgjedhur për të luajtur rolin e “përfaqësuesve” të shqiptarëve.
Përdorimi i kësaj histerie nacionaliste për të luajtur atë që ju e quani në takimet tua koha për ” vtoro poluvreme” kundër shqiptarëve është tepër e rrezikshme.
Helmimi i hapësirës publike me propagandë anti-shqiptare dhe përhapja e urrejtjes përmes mediave tuaja po dëmton në mënyrë të pariparueshme bashkëjetesën.
Shfrytëzimi i ndjenjave të atyre që nuk janë të gatshëm për bashkëjetesë dhe që çdo ditë bërtasin nëpër media “Kush do shqip, le të shkojë në Shqipëri” është avanturë e rrezikshme.