Lista e zezë, VLEN kërkon përgjegjësi nga Ali Ahmeti

Spektakël të turpshëm e quajnë nga VLEN mbrojtjen që i bëhet Grubit nga anëtarë të BDI-së dhe nga vetë kreu i partisë Ahmeti, pasi SHBA-të e futën në listën e zezë për korrupsion. Nga VLEN kërkojnë përgjegjësi nga Ahmeti dhe thonë se të gjithë anëtarët e BDI-së duhet ta bëjnë këtë gjë.

“Të gjithë ne e dimë se sa i pastër është ai. Dëshmitë janë të qarta. Nga ndikimi për lirimin e Sasho Mijallkovit, të futja e bixhozit në çdo shtëpi shqiptare, e deri te përpjekja skandaloze për të kthyer Nikolla Gruevskin nga Budapesti. Gjithçka është orkestruar nën komandën e Ali Ahmetit. E gjithë kjo dëshmon qartë se Artan Grubi nuk është asgjë më shumë se një bedel i Ali Ahmetit. Edhe sa mesazhe të tjera duhet të japin SHBA-të që kjo parti të kuptojë se ka nevojë urgjente për reforma të thella programore dhe kadrovike? Anëtarët e ndershëm të BDI-së duhet të ngrihen dhe të vendosin tenda në Reçicë të Vogël dhe të kërkojnë çlirimin e partisë nga hijet dhe bedelët e korruptuar. Vetëm kështu mund të shpëtohet ajo që ka mbetur nga kjo parti”, deklaroi Bashkim Hasani, VLEN.