Para Gjykatës Kushtetuese, ku sot mbahet seancë ku do të diskutohet për iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, po tubohen anëtarë dhe aktivistë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Mes tyre janë edhe anëtarë të udhëheqësisë së lartë të partisë, si ish ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ish ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi. Është paralajmëruar prania edhe e kryetarit të partisë Ali Ahmeti dhe Ziadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët.
Aktivistë të BDI-së opozitare që nga e diela janë vendosur para Gjykatës Kushtetuese me prezencë 24 orëshe për siç thonë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”. Sipas BDI-së, shfuqizimi i Ligjit do të thotë “rrënim i njërës prej shtyllave kyçe të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa koalicioni qeveritar pa legjitimitet në vend që të punojë për një të ardhme të përbashkët, krijon ndasi dhe sulmon”.