Bekim Qoku: Artan Grubi ka qenë hija e Ali Ahmetit, pa urdhër të Ali Ahmetit Grubi nuk ka bërë asgjë

Nëse lexohet më hollë kjo ndërhyrje e DASH, goditja e vërtetë i është bërë vetë Ali Ahmetit. Sot në Listën e zezë Partneri më strategjik i shqiptarëve e ka futur Ali Ahmetin. Bashkë me të, të gjithë BDI-në. Nuk ka lexim tjetër.

Të gjithë e dimë se Artan Grubi është vegla personale e Ali Ahmetit. Hija e tij. Është masha e tij, bedeli i tij. Ekzekutori i parë i tij. E dimë të gjithë po ashtu se Artani nuk ka bërë çap, pra s’ka bërë asnjë lëvizje a veprim politik pa miratimin e kryeshefit të tij Aliut.

Artani nuk mund të shkonte të takonte Sasho Mijallkovin pa aminin e shefit. Nuk mund të bënte asnjë dill (marrëveshje) me të apo me nëntokën pa dijeninë e Aliut.

Është sekret publik që të gjitha financat e zeza për familjen e shefit i ka drejtuar Artani. Soravia, Eurovia e Llotaria janë vepra të Listëzezit.
Asnjë ndërhyrje në asnjë gjykatë, as për rastin e kryetares së Gjykatës Supreme Besa Ademi nuk e ka bërë Artani pa lejen direkte nga ana e kryezotit të tij Aliut.

Megjithatë, fatkeqësia e kësaj pune është se u desht një forcë e jashtme ta dënojë një antivlerë të shoqërisë si Artan Grubi për të qenë të besueshme të gjithë ato denoncime që ishin kaq ashiqare por që i shtrembëronte dhe i mbulonte PRopaganda dhe kuazi opinionistët apo kinse intelektualët.