Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, si dhe kundër tre ish-zyrtarëve të tjerë dhe një personi tjetër, të cilën i akuzon për ndikim mbi dëshmitarët.
Në një njoftim për media Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se një gjykatëse e ka pranuar kërkesën e prokurorëve për aktakuzë kundër Thacit dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliun.
Aktakuza i ngarkon me vepra penale në lidhje me “përpjekje e paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet në njoftim.
Në aktakuzën e publikuar nga Specialja jepen detaje për “funksionimin e tri grupeve të Thaçit”.
Sipas saj, Thaçi në vizita u kishte dhënë informata të akuzuarve të tjerë në këtë rast se si t’i përcillnin mesazhe dëshmitarëve për të dhënë dëshmi.
Aty thuhet se të akuzuarit kanë konfirmuar apo janë pajtuar me instruksionet e Thaçit për pengim të drejtësisë.