Prokuroria e Shkupit filloi hetime për vrasjen e Okit, Greqia ia dorëzoi rastin Maqedonisë

Prokuroria Themelore Publike Shkup njofton se ka nisur hetime kundër një shtetasi maqedonas 33-vjeçar për vrasje në Hanioti.

– Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese kundër një personi për vepër penale e cila në Kodin penal të Maqedonisë është paraparë si – Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 22, sa i përket prodhimit, posedimit, ndërmjetësimit dhe tregtimit të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese sipas nenit 396, paragrafi 3 – thonë nga PTHP.

Siç bëhet me dije nga Prokuroria Publike, i dyshuari 33-vjeçar, më 15 korrik 2023, në Hanioti të Republikës së Greqisë, së bashku me një person tjetër të panjohur, me dashje i kanë marrë jetën tashmë të ndjerit Orhan Bajrami dhe kanë vënë në rrezik jetën katër personave të tjerë.

– Pas marrëveshjes paraprake, i dyshuari dhe bashkëkryerësi i tij, të maskuar, kanë mbërritur në kompleksin turistik ku ndodhej viktima dhe i janë afruar derës së pasme të hapur të ballkonit. I dyshuari ka shtënë 11 plumba nga arma e zjarrit – pistoletë “Crvena Zastava” 7.65 mm me silenciator, ndërsa bashkëpunëtori i tij me një pistoletë të kalibrit të njëjtë ka shtënë edhe 8 plumba në drejtim të viktimave. Nga plumbat, tre kanë përfunduar në trupin e tani të ndjerit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Autoritetet hetimore greke kishin lëshuar një urdhër arresti për të dyshuarin, si dhe një urdhër arresti evropian dhe një urdhër arresti ndërkombëtar për dyshime për vepra penale – Vrasje me dashje me bashkëpunim dhe Vrasje me dashje seriale dhe në bashkëpunim në territorin e Republikës së Greqisë” – thonë nga Prokuroria.

Siç thuhet nga PTHP, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për shtetas të Maqedonisë për të cilin nuk ka mundësi për ekstradim, në bazë të instrumenteve për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, autoritetet greke ndjekjen penale ia kaluan Prokurorisë Themelore Publike Shkup.

Prokurori publik në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.