VLEN: BDI planifikoi rikthimin e Gruevskit! Bexheti reagon ashpër: Do t’i padis për shpifje!

Pretendimet e Koalicionit VLEN se eksponentë të lartë të BDI-së kanë pasur një plan për rikthimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevskit nga Hungaria në Maqedoni, kundërshtohen kategorikisht nga deputeti Blerim Bexheti. Ai tha se nëse nuk do t’i kërkohet falje publike, do të padis për shpifje sikur Koalicionin VLEN ashtu edhe mediat që kanë transmetuar lajme të pa verifikuara.

“Unë nuk kam marr pjesë në asnjë takim dhe as që kam informacion që ka pasur ndonjë takim të tillë. Kjo është një tentativë e vasalëve të VLEN-it, në këtë rast të gjitha aludimet më çojnë tek krye-hyzmeqari Izet Mexhiti, që është në shërbim të VMRO DPMNE-së. Mendoj që është një shpifje ndaj personalitetit tim në mungesë të argumenteve politike. Si duket Izeti ashtu siç e ka filluar me takime të fshehta, që ndoshta në periudhën e ardhshme do të flasim, edhe ashtu tenton ta vazhdoj por nuk i ndihmon aspak”, tha Blerim Bexheti.

Nga Koalicioni VLEN para disa ditëve përmes një konference për media njoftuan se BDI ngulm duan ta kthejnë Nikolla Gruevski, me qëllim që ata të kthehen në pushtet, ndërsa edhe sot dërguan njoftim deri te mediat se duke nënvizuar se BDI ka pasur takime të fshehta për të rikthyer dhe amnistuar Gruevskin.

Reagimi i plotë i deputetit Blerim Bexheti:

Po ju drejtohem me këtë demantim si garancë e imja kushtetuese, dhe të njëjtin ua drejtoj të gjitha mediave në këtë vend dhe kërkoj që demanti të publikohet menjëherë dhe pa vonesë në të gjitha televizionet, gazetat dhe portalet nga të cilat kërkoj të shfrytëzojnë hapësirën e njëjtë për këtë demant ashtu siç e shfrytëzojnë për tekstet e tyre shpifëse dhe titujt e njoftimet me detaje “ekskluzive” të operacionit të dështuar për kthimin e Gruevskit.

Në të njëjtën kohë, kërkoj që të gjitha televizionet dhe portalet të më kërkojnë falje publike për shpifjet dhe fyerjet e bëra, në përputhje me Nenin 13 dhe nenin 14 të Ligjit për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje, në mënyrë që ta zbusni dëmin që më keni shkaktuar tashmë dhe si do ta zvogëloni dëmshpërblimin.

Asnjëherë nuk kam marrë ndonjë audio apo video incizim nga sinjalizues apo punonjës në zyrën e Presidentit, as nuk kam marrë ndonjë informacion për ndonjë takim me politikanë në të cilin është diskutuar për kthimin e Nikolla Gruevskit.

Nga këtu nuk kam pasur asnjë informacion apo regjistrim që mund t’ia kaloj dikujt.

Si politikan jam dakord të jem nën vëzhgimin e publikut dhe mediave për punën time, të kritikohem biles deri në provokim, por nuk do të lejoj që të më ngarkohen të pavërteta dhe shpifje që kam “poseduar” dhe shpërndarë komunikime të regjistruara pa autorizim të cilat në vetvete janë krim.

Nga këtu, nëse këto shpifje nuk tërhiqen menjëherë nga të gjitha mediat dhe të njejtat nuk kërkojnë falje publike, do të nis procedurë ndaj çdo televizioni, gazete, publikimi javor dhe ndaj çdo portali për dëmshpërblim ndaj kësaj shpifjeje.

Këtë lajm të paverifikuar dhe shpifës do t’ju duhet ta dëshmoni në gjykatë, të cilin nuk do ta dëshmoni dot sepse është një gënjeshtër dhe shpifje famëkeqe!