Putin fal borxhet për luftën/ Presidenti rus josh qytetarët e zhytur në kredi për të luftuar në Ukrainë

Forcat ukrainase kanë rrëzuar 50 nga 73 dronët rus të nisur mbi Ukrainë gjatë natës së të shtunës.

Autoritetet në Kiev njoftuan se dronët ishin kryesisht të tipit të prodhuar nga Irani.

Ndërkaq, mediat franceze njoftojnë se Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj që t’u falen kreditë bankare atyre që luftojnë në Ukrainë. Shuma që do t’u falet arrin deri në ekuivalentin e 92 mijë eurove.

Luftimet vazhdojnë të jenë të ashpra, teksa Ukraina ka humbur mbi 40 për qind të territorit në rajonin rus të Kurskut, të cilin e pushtoi gjatë një sulmi të papritur në muajin gusht. Humbja e territorit vjen pas një vale sulmesh dhe kundërsulmesh të ushtrisë ruse.

Me hyrjen në Kursk, Kievi synoi të frenonte sulmet ruse në pjesët lindore dhe verilindore të Ukrainës, si dhe ta detyronte Rusinë që të tërhiqte forcat që po përparonin gradualisht në lindje. Qëllimi i kësaj manovre ishte që Kievi të kishte një “armë” shtesë në negociatat e mundshme të paqes në të ardhmen.

Por forcat ruse po vazhdojnë të përparojnë në rajonin Donetsk, në lindje të Ukrainës.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy është shprehur se beson se objektivat kryesore të Presidentit Vladimir Putin kanë qenë pushtimi i plotë i Donbasit, i cili përbëhet nga rajonet Donetsk dhe Luhansk, dhe largimi i trupave ukrainase nga rajoni i Kurskut.