Mickoski: Deri në fund të muajit, dy investime të reja dhe 500 vende të reja pune

Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se pret që deri në fund të muajit të ketë dy investime të reja. Njëri, siç shprehet ai, do të jetë zgjerimi i impiantit tashmë ekzistues dhe tjetri do të jetë investim krejtësisht i ri. Të dyja investimet kapin vlerën deri në 50 milionë euro dhe do të krijojnë deri në 500 vende të reja pune.

“Jemi duke negociuar dhe pres që deri në fund të këtij muaji të kemi dy investime. Njëri do të jetë zgjerimi i impiantit tashmë ekzistues dhe tjetri do të jetë investim krejtësisht i ri që do të sigurojnë deri në 500 vende të reja pune. Pres që këtë muaj t’i përfundojmë, ndërsa tashmë në dhjetor do të kemi së paku edhe dy, por edhe fillimin e një investimi të ri, përkatësisht vendosjen e gurthemelit”, deklaroi Mickoski sot në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve gjatë vendosjes së gurthemelit për rinovimin e SHFK “Aco Shopov” në Butel.

Ai tha se investimet do të jenë në sektorin e ndërtimtarisë dhe industrisë automobilistike.

Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me takimin që u zhvillua këtë javë me një partner potencial për investim në një termocentral të gazit kogjenerues dhe nëse bëhet fjalë për kompaninë greke “Mitilineos”, Mickoski u përgjigj se kjo kompani greke nuk është e përfshirë, por se bëhet fjalë për një koncept krejtësisht të ri dhe theksoi se janë tre kompani që seriozisht janë të interesuara për të investuar në këtë lloj infrastrukture energjetike të kapaciteteve prodhuese të rigjenerimit.

“Ne e kemi kritikuar ashpër ‘Mitilineosin’ grek, sepse kemi vlerësuar se ai investim është i dëmshëm dhe se nuk do të sjellë të mira për qytetarët e Maqedonisë. Tani do të ishte e pahijshme gjashtë muaj më vonë, vetëm pse tani jemi Qeveri dhe të ndryshojmë mendim. Unë nuk funksionoj kështu. Mund të ndodhë që të lëvizim nëse marrim argumente ndërkohë, por jo vetëm që nuk morëm argumente, por jemi të bindur se është investim i dëmshëm dhe nuk është përgjigje për nevojat e qytetarëve të Shkupit, por edhe të shteti në përgjithësi”, ka thënë Mickoski.

Ai përmendi se kemi tre kompani që seriozisht janë të interesuara për të investuar në këtë lloj të kapaciteteve të prodhimit të rigjenerimit të infrastrukturës energjetike dhe normalisht me të gjithë është duke u negociuar për të parë se cilat janë kushtet më të mira. Por, shton ai, nuk do të jetë asgjë jashtë programeve aktuale të mbështetjes së investimeve, nuk do të jetë një investim që do të garantojë blerjen, por do të jetë i bazuar në rregullat e tregut. Mickoski shtoi se do të jetë një investim që do të shfrytëzojë energjinë e gjelbër.

“Sigurisht do të jetë një investim që do të përdorë energjinë e gjelbër, sepse jemi obliguar me planin e rritjes që do të mundësojmë që produktet që do të eksportohen në Bashkimin Evropian, të kenë markë të gjelbër që prodhohen nga energjia e gjelbër. Ne të fundit filluam si Qeveri, krahasuar me pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të jemi të parët që do të marrim këstin e parë, sepse kemi qenë të parët që kemi kryer detyrat e shtëpisë në këta katër muaj. E filluam të fundit, e fituam të parët dhe jemi shumë përpara në të gjitha proceset e tjera nga pesë vendet e tjera. Ne kemi një plan ambicioz dhe duam ta realizojmë”, shtoi Mickoski.