Maqedoni dominon paraja Kesh..!?

E-blerësi i Maqedonisë është i ngjashëm me atë të Ballkanit, është i lidhur mirë me internet, por kryesisht e përdor për media sociale, telefonata, video thirrje… Shumë shpesh bën porosi deri 50 euro dhe blen rroba.

Gjatë kësaj, këtë nuk e ka shprehi, por e bën një deri në tre herë në tre muaj që nënkupton se është “blerës i rastësishëm onlajn”. Në përgjithësi paguan në para të gatshme gjatë dorëzimit dhe bën marrëveshje me prodhues vendorë.

Siç tha në konferencën për media kryetarja e Asociacionit për E-tregti, Nina Angellovska Stankov, disa nga shkaqet për karakteristikat e tilla janë mospasja e njohurive digjitale, niveli i ulët i shfrytëzimit të E-bankës, mospasja e shprehive për pagesë me kartelë, si dhe mospasja e besimit nëse do të arrijë produkti.

Sa i përket tregtisë elektronike, vlerësoi Angellovska Stankov, edhe shpërndarja ndikon shumë. Sipas anketës së fundit që përfshin 40 kompani nga Ballkani Perëndimor, sfida më e madhe është pikërisht shpejtësia e dërgesës, fleksibiliteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i pamjaftueshëm i dërguesve, të cilat ndikojnë shumë në krijimin e përvojës së blerjeve online për qytetarët.

Të dhënat më të reja tregojnë se në vend mbi 86.6 për qind të amvisërive kanë qasje në internet, ndërsa 88.3 për qind nga popullata janë shfrytëzues aktivë të internetit. “Krahasuar me Evropën, rajoni ka nivelin më të ulët të mbajtësve të llogarive, të kartelave të pagesave dhe më së paku përdor kartelat e pagesave. Paratë e gatshme janë ende mënyra dominuese e pagesës.

Sot do të shohim se si të ‘zgjidhen’ mënyrat e tjera të pagesës që janë normë në vendet e zhvilluara dhe ku pagesa me para në dorë nuk ofrohet si opsion”, theksoi Angellovska Stankov para fillimit të konferencës rajonale për tregtinë elektronike. Vendet nga Ballkani Perëndimor kanë progres në e-tregtinë, por edhe krahas rritjes, janë renditur më së ulëti në krahasim me shtetet evropiane.

“Kemi progres, por jemi larg nga arritja e vendeve evropiane. Kemi ende shumë punë për të bërë. Për sa i përket gatishmërisë për e-tregtinë, ne e shohim gjithmonë gatishmërinë digjitale si një parakusht. Këtu nuk jemi ende në një nivel të lakmueshëm sepse përsa i përket aftësive digjitale, rajoni renditet shumë poshtë dhe duhet përshpejtim.

Për sa i përket e-tregtisë, Shqipëria shënoi rritje prej 370 për qind në pesë vitet e fundit dhe Serbia, si tregu më i madh, ka potencialin më të madh – 65 për qind të blerësve onllajn nga përdoruesit e internetit, ndërsa Maqedonia është në vendin e dytë me 54 për qind”, tha Angellovska Stankov. E-blerësi i Maqedonisë, përveç rrobave, blen edhe elektronikë, produkte për amvisëri…

“Kemi dallime me blerësin evropian sa i përket elektronikës. Shqipëria, për shembull, blen më shumë se blerësi evropian, dhe malazezët porosisin shumë ushqime nga restorantet, ndryshe nga evropianët. Sa i përket marrëveshjeve, të cilat zakonisht janë deri në 50 euro, një nga arsyet është fuqia blerëse. Megjithatë, disa nga këto marrëveshje janë me para të gatshme. Në Evropë porositë janë mesatarisht nga 100 – 500 euro.

Është gjithashtu e rëndësishme se sa shpesh bëni blerje, tek ne blerjet onlajn nuk janë ende shprehi”, theksoi kryetarja e Shoqatës së E-tregtisë. Vlerësimi i saj është se edhe postat private kanë rritje të konsiderueshme në punë, por duhet të zbatojnë teknologji më moderne që ta optimizojnë punën dhe t’i ulin shpenzimet, si dhe ta përmirësojnë cilësinë. Mungesa e kuadrit, porositi, mund të tejkalohet me teknologji më të mirë.