Ahmeti dhe partia e tij janë faktorë destabilizues për kryeministrin Hristijan Mickoski. Sipas tij, me deklaratat e vazhdueshme të Ahmetit, përfshirë edhe këtë të fundit për ligjin për përdorimin e shqipes, Ahmeti shqetëson jo vetëm Mickoskin, por edhe ndërkombëtarët.
“Ne tashmë u ambientuam me deklaratat e tilla të z. Ali Ahmetit të jetë faktor destabiliteti, me retorikën e tij të bëjë thirrje për jostabilitet dhe trazira. Unë nuk mendoj se kjo do të mund të shkaktojë atë që ai thotë sepse edhe shqiptarët, edhe të gjithë qytetarët në vend janë të vetëdijshëm për atë që ka bërë ai dhe njerëzit rreth tij në 20 vitet e kaluara deri sa kanë qenë në pushtet. Supozoj se mesazhi është për të njëjtët gjykatës kushtetues të cilët i kanë vendosur ata në Reçicë dhe këta në Bihaçka sepse ligji për gjuhët është në Gjykatën Kushtetuese. Sido që të jetë, ai vazhdon të jetë faktor destabilizues dhe kjo më shqetëson mua por i shqetëson edhe partnerët tanë ndërkombëtarë që Ahmeti dhe BDI-ja bëhen gjithmonë e më shumë faktor destanilizues”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, një ditë më parë, në takim me qytetarët në Shuto Orizare, deklaroi se të gjitha arriturat e shqiptarëve gjatë dekadave të fundit po rrënohen dhe se po u prek gjuha shqipe, të gjithë shqiptarët do të çohen në këmbë.
“Po u prek gjuha shqipe, sot po u prek, ta dinë që sheshet e Shkupit janë plot e përplot. Unë nuk e di si të paralajmëroj, ne nuk krijojmë krizë. Të mos frikësohen se nuk i krijojmë destabilizim shtetit. A nëse shteti do destabilizim, unë po e paralajmëroj; preke gjuhën shqipe, preki të arriturat e shqiptarëve, garanci nuk ke nga ana jonë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Në Gjykatën Kushtetuese janë kontestuar disa nene të ligjit për përdorimin e gjuhëve, në disa nisma të ndryshme, nga E Majta, VMRO-DPMNE-ja, avokatë dhe persona të tjerë.