Reagimi i pasanikëve ndaj murtajës bubonike ka ngjashmëri të frikshme me pandeminë e sotme
Kathryn McKinley, Universiteti i Maryland, Baltimore County
Virusi korona mund të infektojë këdo. Raportimet e fundit tregojnë se statusi socio-ekonomik luan rol të madh, krahas vendit të sigurt të punës, qasjes në kujdesin shëndetësor dhe lëvizshmërisë së lirë, duke e zgjeruar kësisoj hendekun e infektimeve dhe shkallën e vdekshmërisë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.
Të pasurit punojnë nga distanca dhe ikin në vendpushimet e tyre idilike, ndërsa të varfrit urbanë trusen në banesat e vogla dhe detyrohen të lajmërohen në punë gati përditë.
Këtë version historie unë si medieviste e kam të njohur mirë. Pas Vdekjes së Zezë të vitit 1348 në Itali, shkrimtari italian Giovanni Boccaccio shkroi një koleksion prej 100 novelave me titull “Dekameroni”. Këto tregime, ndonëse imagjinare, na hapin një dritare të jetës mesjetare gjatë Vdekjes së Zezë – dhe tregojnë si u thelluan çarjet e të njëjtit hendek midis të pasurve dhe të varfërve. Historianët e kulturës e shohin sot “Dekameronin” si burim të paçmuar informacioni mbi jetën e përditshme të Italisë së shekullit XIV.
I lindur më 1313, Boccaccio ishte i biri i paligjshëm i një bankieri të Firences. I përkiste klasës së mesme. Në “Dekameron” ai shkruante tregime rreth tregtarëve dhe shërbëtorëve. Kjo ishte e pazakontë për kohën e tij, ngase letërsia mesjetare prirej të përqëndrohej në jetën e fisnikërisë.
“Dekameroni” fillon me një përshkrim mbërthyes e të trishtë të Vdekjes së Zezë, e cila qe aq e rrezikshme sa të prekurit vdisnin brenda shtatë ditëve. Brenda viteve 1347 dhe 1351, ajo vrau mes 40% dhe 50% të popullsisë së Evropës. Vdekja e Zezë ua mori jetën edhe disa anëtarëve të familjes Boccaccio.
Në pjesën hyrëse, Boccaccio përshkruan pasanikët duke u izoluar në shtëpitë e tyre, ku shijonin verëra dhe ushqime cilësore, muzikë dhe argëtime të tjera. Më të kamurit – të cilët Boccaccio i përshkruante si “të pamëshirshmit” – braktisinin lagjet dhe iknin për në vilat e rehatshme në fshat, “murtaja sikur donte t’i godiste vetëm ata që mbeteshin brenda mureve të qytetit”.
Ndërkohë, klasa e mesme dhe ajo e varfra detyroheshin të qëndronin në shtëpi, “u binte murtaja prej mijëra njerëzve të lagjeve të tyre, ditë për ditë” dhe për pak kohë ndërronin jetë. Shërbëtorët u shkonin pas me mirësjellje të sëmurëve në familjet e pasanikëve, shpesh duke iu nënshtruar vetë murtajës. Shumë njerëz, në pamundësi për të ikur nga Firenca, dhe të bindur se ishin buzë vdekjes, vendosnin të pinin dhe të festonin në ditët e tyre të fundit me dëfrime nihiliste, teksa në zonat rurale punëtorët vdisnin “si të ishin shtazë, e jo njerëz; natë e ditë, pa asnjë mjek që të kujdesej për ta.”
Pas përshkrimit të zymtë të murtajës, Boccaccio futet në 100 tregimet e tij. Ato i kallëzojnë 10 fisnikë që i kishin shpëtuar Vdekjes së Zezë që kishte pllakosur Firencen, duke ikur në pallatet e tyre luksoze. Prej atje, ata i kallëzonin tregimet e tyre.
Çështje thelbësore te “Dekameroni” është se si pasuria dhe epërsia ndaj tjetrit ua prishin aftësitë njerëzve për t’u bashkuar në vështirësi me të tjerët. Boccaccio e nis me një fjalë të urtë, “është qenësisht njerëzore të tregosh keqardhje për të prekurit”. Megjithatë, në shumë tregime, ai vazhdon të paraqesë personazhe që janë tejet indiferente ndaj dhimbjes së të tjerëve, të verbuar nga lakmitë dhe ambiciet e tyre.
Në një tregim fantastik, një burrë i vdekur kthehet nga ferri çdo të premte për ta masakruar me ritual të njëjtën grua që e kishte refuzuar sa ishte gjallë. Në një tjetër, një e ve ikën nga një prift lakmues dhe me truqet e saj e bën atë të flerë me shërbëtoren e tij. Në tregimin e tretë, narratori çmon një personazh për besnikërinë e tij të përjetshme ndaj mikut të vet, anise e kishte tradhtuar rëndë me vite.
Njerëzit, duket se na thotë Boccaccio, mund të mendojnë për vetveten si të çiltër e të moralshëm – por shfaqin indiferencë ndaj të tjerëve pavetëdijshëm. Këtë e shohim te 10 tregimtarët: Ata bëjnë një pakt për të jetuar virtytshëm në vilat e tyre luksoze. Megjithatë, teksa përkëdhelin vetveten, lëshohen në disa tregime që dëftojnë vrazhdësi, tradhti dhe mujshi.
Boccaccio donte t’i sfidonte lexuesit dhe t’i bënte të mendonin për përgjegjësitë e tyre karshi të tjerëve. “Dekameroni” shtronte këto pyetje: Si solidarizohen pasanikët me skamnorët në kohëra të vuajtjeve të mëdha? Ç’vlerë ka jeta?
Në kohën e pandemisë sonë, kur kemi miliona të papunë për shkak të një virusi që ka vrarë me mijëra njerëz, këto çështje janë më se të rëndësishme.
Përktheu: Visar Zeka
https://theconversation.com/how-the-rich-reacted-to-the-bubonic-plague-has-eerie-similarities-to-todays-pandemic-135925