Ç’krijesë njeriu…

Ndonjëherë i heshtur,
larg zërave të ftohtë dhe të zbrazët…

Strehë e ngrohtë i duket mënjanëria,
këndi ku s’ka maska të pluhurosura,
ku vetmia e gjelbër e pyllit të tij,
i zbret fjalë të pastra si vesa e mëngjesit…

Nga psherëtimat e gjetheve,
shijon ritmin e natyrës
dritën e brendshme,
hijet e tij që vallëzojnë pa frikë,
dhe netët pa zhurmë…

I heshtur mund t’i thonë,
ani, s’ka gjë,
ai ka zgjedhur të mos tres shpirtin e tij,
të mos e luaj lojën e hidhur,
të mos fus hundët
në errësirën e botës së ftohtë.

Ai ka përzgjedhur heshtjen,
kopshtin e tij pa gënjeshtra,
për ta shoqëruar veten,
për t’i dëgjuar mendimet,
për t’mos u thyer në botën e zbehtë,
për t’u ngazëllyer në dritën e tij të qetë.

© Xhemi Hajredini
Strugë, 7 nëntor 2024