Së shpejti fillojnë dënimet “me kamera” në trafik, nuk do t’mund tua falë as ministri, as kryeministri
Vitin e ardhshëm do të fillojë edhe ndëshkimi automatik i shoferëve në komunikacion të cilët do të regjistrohen nga kamerat e sistemit të qytetit të sigurt, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Ministri nuk mund të saktësojë saktësisht se kur do të nisë, është e mundur në janar, por me shumë mundësi më vonë, sepse do të duhet të bëhen ndryshime ligjore për të mundësuar dënimin automatik të vozitësve të padisiplinuar, transmeton Lideri.mk.
Qëllimi i këtij sistemi, shprehet kategorik Toshkovski, është të zvogëlohet numri treshifror i viktimave në trafik, e jo të mblidhen para nga qytetarët.
Sipas ministrit, qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së nuk kanë ndërmarrë hapa adekuat për zbatimin e plotë të këtij sistemi. Nuk kanë bërë plan se si do të vendosen kamerat dhe nuk kanë përcaktuar se si do të bëhet vjelja e gjobave. Për zgjidhjen e këtyre çështjeve është formuar një grup pune.
Ai paralajmëron se deri në fund të vitit 2025 do të mbulohen tërësisht Shkupi, Kumanova dhe Tetova.
Sipas Toshkovskit, me sistemin do të përfundojnë edhe urgjencat për heqjen e dënimeve.
– Një nga përfitimet e qytetit të sigurt është se nuk do të ketë më telefonata për Petrenë, Trajçen, ministrin, kryeinspektorin, asistentin, kryetarin e komunës, por do të jetë thjesht një kompjuter. Nuk ka kush të telefonojë. Thjesht do t’ju duhet të telefononi kompjuterin. Nuk do t’ju përgjigjen nga ajo anë – tha ministri