Në vetëm pak minuta, përmbytjet e papritura të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në lindje të Spanjës rrënuan gjithçka. Kishte shumë pak kohë për të reaguar. Njerëzit mbetën të bllokuar në automjete, në shtëpi apo në punë.
Qindra trupa janë gjetur në rajonin e Valencias lindore, por kërkimet për të zhdukurit vazhdojnë. Numri i saktë i të zhdukurve nuk është përcaktuar ende, shkruan Zëri i Amerikës. Mbi 200 persona janë konfirmuar të vdekur.
Disa nga veturat, të cilat i mori uji e u përplasën me ndërtesat, ende kanë trupa njerëzish që presin për t’u gjetur dhe identifikuar.
Me paralajmërimet për më shumë reshje, banorët e zonave të përmbytura po përpiqen të gjejnë zgjidhje për strehim.
Çfarë ndodhi?
Reshjet e dendura bënë që lumenjtë Magro, Turia dhe Tagus, të dilni nga brigjet, duke përmbytur qytetet dhe duke i zënë në befasi njerëzit që po bënin aktivitetet e përditshme.
Sa hap e mbyll sytë balta mbuloi rrugët, hekurudhat, u fut nëpër shtëpi dhe ambiente biznesi në periferi të Valencias.
Reshjet ishin të paprecedenta. Shërbimi Meteorologjik Kombëtar spanjoll njoftoi se në qytetin e goditur më së rëndi të Chivasit, ra më shumë shi në tetë orë sesa në 20 muajt e fundit në total.
Kur autoritetet dërguan paralajmërim për qytetarët se situata ishte serioze, ishte vonë. Shumë prej tyre ishin në rrugë dhe nuk mund t’i shmangeshin rrezikut.
Si ndodhën përmbytjet kaq masive?
Shkencëtarët po përpiqen të sqarojnë se çfarë ka ndodhur dhe të shohin disa lidhje me ndryshimet klimatike.
Një faktor është ajri gjithnjë e më i ngrohtë, i cili shkakton gjithnjë e më shumë reshje shiu. Një faktor tjetër janë ndryshimet në rrymat e ajrit që shkaktojnë mot ekstrem. Meteorologët thonë se për shkak të këtyre ndryshimeve, sistemi që solli shira ekstremë u shfaq mbi Spanjë.
Temperatura jashtëzakonisht e lartë e Mesdheut është gjithashtu një faktor – në gusht temperatura e ujit ishte deri në 28.7 gradë në sipërfaqe, thotë Carol Kenning nga Qendra për Rrezikun dhe Mbrojtjen nga Përmbytjet në Londër.
Shirat ekstremë dhe përmbytjet kanë goditur Spanjën pas periudhave të gjata të thatësirës në vitet 2022 dhe 2023. Ekspertët thonë se ciklet e thatësirës dhe përmbytjeve po bëhen gjithashtu më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike.
A ka ndodhur kjo më parë?
Stuhitë dhe përmbytjet e vjeshtës ndodhin në brigjet e Mesdheut të Spanjës, por këto të tashmet janë më të rrezikshmet.
Banorët e Chivasit thanë se përmbytjet ishin tre herë më të këqija se ato të vitit 1957, të cilat vranë 81 njerëz dhe u konsideruan si më vdekjeprurësit në historinë e Spanjës lindore.