Reformat, Mickoski merr këshilla nga Horvatin

Kryeministri Mickoski ka biseduar me ish kryetarin e Gjykatës Supreme të Kroacisë, Branko Horvatin dhe nga ai mori ide për reforma në sistemin e drejtësisë, shkruan Alsat.

Për Mickoskin, arsyeja kryesore e vlerësimit të keq të gjykatësve dhe prokurorëve është pushteti i kaluar.

Kryeministri nuk u përgjigj se çfarë do të ndodhë konkretisht me Këshillin Gjyqësor, për të cilin kërkoi shpërbërjen e plotë.

“Kam marrë shumë ide cilësore në fushën e reformave në drejtësi dhe gjatë javës së ardhshme pres që të kem takim operativ me ministrin dhe njerëzit që janë pjesë e kësaj dhe të nis punën tashmë. Fillimisht do të fillojmë me Këshillin Gjyqësor, pastaj Këshillin e Prokurorëve, deri në momentin kur të çlirojmë gjyqësorin dhe prokurorinë nga kthetrat partiake të BDI-së dhe LSDM-së. Rizgjidhje në Këshillin Gjyqësor? Të shohim, do të mendojmë”, tha Mickoski.

Horvatin ishte në krye të ekipit të ekspertëve të misionit vlerësues të BE-së vitin e kaluar kur Këshilli Gjyqësor mori vlerësim negativ dhe u dhanë 17 rekomandime për përmirësimin e praktikës dhe punën e Këshillit.

Zbatimi i këtyre rekomandimeve si dhe ligj krejtësisht i ri për Këshillin Gjyqësor, janë pjesë e agjendës reformuese të Qeverisë, e cila një javë më parë mori mbështetje nga Brukseli dhe u vlerësua si mjaft ambicioze.

Reformat në drejtësi në agjendë përfshijnë ligje krejtësisht të reja për punën e prokurorëve.

“Reformat përfshijnë rishikimin e proceseve të rekrutimit, përzgjedhjes, emërimit, vlerësimit, promovimit, transferimit dhe shkarkimit të gjykatësve dhe prokurorëve të mbështetur nga miratimi i ligjit të ri për Prokurorinë Publike dhe ligjit të ri për Këshillin e Prokurorëve në përputhje me standardet e BE-së dhe rekomandimet e Konventës së Venecias”, thuhet në Raportin e KE-së për agjendën e reformave.

Në agjendë është edhe funksionalizimi i plotë i sistemit të automatizuar të menaxhimit të rasteve deri në vitin 2026, i cili do të eliminonte plotësisht ndarjen manuale të lëndëve kurse një tjetër synim kyç që duhet arritur është reduktimi i numrit të lëndëve të mbetura nëpër gjykata dhe prokurori.

E gjithë kjo, sipas agjendës, duhet të zbatohet deri në vitin 2027 ndërsa ligji i ri për Këshillin Gjyqësor duhet të jetë gati në qershor të vitit të ardhshëm.

Qeveria transformimin e organeve të drejtësisë e kishte përmendur që në fillim të mandatit të saj dhe deri para pak kohe në tavolinë ishte qëndrimi për shpërndarjen e plotë të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve.

Megjithatë, me kalimin e kohës duket se këto institucione nuk do të shpërbëhen, por përmes reformave dhe ligjeve të reja do të kërkohet mënyrë për të përmirësuar punën e tyre.