NJË DITË
PËR JU
Jam në mendime
të thella për ju,
për fatin tuaj,
si pe i këputur.
Një qiri po e ndez
për neve sot këtu,
ta kemi për të qarë
e për t´u lutur.
Unë ditën tuaj do
ta skalis në gur,
me shkronja
të arta,
me diell praruar.
Ta mbani si portret
të varur në mur,
në kalendarin
e jetës së jetuar.
Jam ulur vetëm
në një gur.
Rri mendoj për ju,
një nga një.
Për ëndrrat tuaja
me krahë pëllumbi.
Për ty që vrapoje
e s´vrapon dot më,
që atë ditë kur
të preu plumbi.
Një qiri e ndeza
edhe për ty,
për ty që u rrite
shtigjeve malore.
Një degë e tharë
ta mori njërin sy,
në valën e moshës
parashkollore.
S´më kujtohet dita,
s´më kujtohet viti,
kur ti si foshnjë u
ngrite më këmbë.
Ah, si të shtriu
polimieliti, dhe
nëna e mbajti
shpirtin
me dhëmbë.
Edhe për ty o shok,
malli më mori,
për përshëndetjen
tënde nga larg.
Ty dorën e njomë
ta ndrydhi traktori
dhe t´u ngrysën
vitet varg e varg.
Unë ditën tuaj do
ta skalis në gur,
me shkronja të arta,
me diell praruar.
Ta mbani si ikonë
të varur në mur,
në kalendarin
e jetës së jetuar.
[idemisai]