Hyra në shtëpinë e vjetër atje në Veleshtë,
derës i’a putha pragun gjithë ankth
e ajo më ledhatoi me mall.
Vatra e zjarrit me zë dëshprimi më qortoi.
Përse je përhumbur,o mërgimtar?
Harku i oxhakut më buzëqeshi
vargonjët mbi vatër fytyrën ma njohën,
guri i votrës u zgërdhi e tha
më paske vjedhur ngjyrën!
Dhomat më flakën hidhërueshëm
larg netëve të harruara.
Te qoshja e shtëpisë data e gdhendur në gurë
mbuluar nga myshku
edhe hekurat e dritareve të holluara
prej ndryshkut.
Aty në trupin e arrës germat e emrit tim
ishin rritur bashkë me trungun,
në livadhe përreth më ngjau
se lulet rriteshin pa ngjyr
dhe pa aromën e parfumit.
Dielli i korrikut zemrën s’ma ngrohu
edhe hëna nga nervoza
lindte tëpër vonë.
Eh rinisë sime i kishin humbur gjurmët
përgjithmonë, malli s’kishte fjetur gjumë kaq mote… sa mot??
O streha ime e dikurshme nën atë çati harrimi
o vegim o dritë e frikshme,
më jep atë shpresë të jetoj
edhe këto pak vite që më kanë mbetur
deri në të largëtat kujtime,
ashtu si rrjedh vargu i poetit në dhimbje për vendlindjen time.
Përparim Istrefi 20.02.2014 Veleshtë