Të dyshuar për shitje të drogës dhe prostitucion! Prokuroria: 14 të arrestuar nga aksioni në Tetovë dhe Ohër, dyshohen edhe dy zyrtarë policorë

Nga Prokuroria njoftojnë se nga aksioni i sotëm policor në Tetovë dhe Ohër janë privuar nga liria 13 persona, për të cilët kërkohet paraburgim, ndërsa bastisje janë kryer në 17 lokacione, shkruan TV21. Nga Prokuroria thonë se dyshohet se grupi një kohë të gjatë është marrë me ndërmjetësim për kryerje të prostitucionit dhe tregti ilegale me drogë, ndërsa si grup kanë realizuar edhe pastrim parash.

“Grupi i organizuar është krijuar nga një 35-vjeçar nga fshati Bogovinë, i cili ka organizuar dhe koordinuar aktivitetet kriminale të anëtarëve të tjerë të grupit edhe në objektet e hotelierisë në fshatin Zherovjan, fshatin Sedllarcë e Epërme dhe në Ohër, i ka çuar drejt prostitucionit vajzat, shtetase të huaja, të cilat kanë punuar në klube të striptizit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga Prokuroria thonë se pjesë e grupit kanë qenë edhe dy zyrtarë policor, një polic i burgut të Tetovës dhe një inspektor i lartë i policisë në Tetovë, të cilët e kanë njoftuar grupin për veprimet e policisë.

“Punën faktike të dy prej klubeve e organizonte vëllai i të dyshuarit të parë, ndërsa i dyshuari i tretë e ka organizuar punën e striptiz-klubit në Ohër. I dyshuari i katërt ka marrë pjesë në çuarjen na prostutucion të vajzave në objektet hotelierike dhe ka qenë i angazhuar për organizimin e udhëtimit të tyre dhe hyrjen në shtetin tonë, si dhe për lehtësimin e procedurave për marrjen e dokumenteve për leje qendrim ligjor të shtetasve të huaja. Pesë anëtarë të shoqërimit kriminal kanë qenë përgjegjës për sigurim dhe shitje të paligjshme të drogës, në të shumtën e rasteve kokainë, ndaj klientëve dhe vajzave. Njëri prej tyre ndihmonte dhe lehtësonte aktivitetet e transferimit të drogës dhe ishte angazhuar posaçërisht për paralajmërim gjatë kontrolleve policore dhe ishte përgjegjës për ndjekjen e lëvizjes së policisë gjatë rrugës për në klube, për çka njoftonte anëtarët e grupit”, shtojnë nga Prokuroria.

Nga hetuesia shtojnë se dy persona ishin të angazhuar që të gjejnë vajzat për striptiz-klubet, respektivisht i kanë gjetur përmes kontakteve në shtetet e huaja, ueb faqet në internet, kanë organizuar hyrjen në shtetin tonë, pajisjen me dokumentacion të falsifikuar për vendbanim fiktiv në hotele në vendin tonë, me çka kanë siguruar leje të qëndrimit.