Filkov e akuzoi për keqpërdorime, Lloga përgënjeshtron

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov e ka gjetur kabinetin me borxhe dhe porosi që sipas tij janë të dyshimta dhe të paarsyeshme. Paraardhësi i tij, Krenar Lloga ka zhdukur dokumentin e klasifikuar të Misionit Vlerësues të KE-së. Për këtë Filkov thotë se ka hetim dhe do të vërtetohet se ku ka përfunduar. Ai shpalosi edhe porositë e ombrellave, bluzave dhe shisheve të cilat janë arsyetuar, ndërsa tha se Lloga ka blerë telefona celular me vlera marramendëse nga çmimi real në treg, ndërsa në porosi ka përfshirë edhe skuterë elektrik. Filkov tha se nevoja e këtyre porosive nuk është arsyetuar dhe mungon evidenca, aq më tepër sa sipas tij, pajisjet nuk janë kthyer.

“Mora detyrën pa pranim-dorëzim nga paraardhësi im dhe kabinet i zbrazur pa mëshirë, por me gjëra të sapo porositura si: ombrella, bluza, çanta, shishe dhe gjëra të tjera secila prej tyre nga 200 copë dhe faturë e papaguar prej 956 mijë denarë për të njëjtat. Hasa në resurse të zbrazura financiare. Nuk ka evidencë për marrjen dhe shfrytëzimin e telefonave celular, laptopa dhe skuter elektrik. Kjo dëshmon për mëvetësimin e ministrisë nga paraardhësi im”, deklaroi Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë.

Në muajin nëntor do të fillojnë debatet publike për ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për Prokurorinë Publike. Mbi ndryshimet në Kodin Penal, po kërkohen modalitete se si do të mund të përfshihen dispozita me fuqi retroaktive.

“Mbi Këshillin Gjyqësor e dini se gjatë muajit që pason do të fillojmë me debatet publike për Ligjin mbi Këshillin Gjyqësor. Momentalisht do të shkojmë me grup të ri pune. Akoma punohet gjetjen e zgjidhjes me të mirë. Nuk diskutohet ajo që neve duam ta bëjmë rreth Kodit Penal. Ajo për të cilën duhet të diskutohet është se ligji nuk lejon zbatimin retroaktiv dhe neve duhet të fokusohemi këtu për të gjetur zgjidhjen e duhur se si të ketë përgjegjësi për atë që është bërë deri tani”, tha Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë.

Filkov deklaroi se në përpunim është edhe ligji që do të rregullon pensionimin e gjykatësve dhe se kufiri i propozuar është paraparë 67 vjeç.

Nga ana tjetër, Ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka reaguar pas akuzave të ministrit të tanishëm të Drejtësisë Igor Filkov për zhdukjen e dokumentit të klasifikuar të Misionit Vlerësues të KE-së dhe për disa blerje me vlera marramendëse nga çmimi real në treg.

Reagimi i plotë i Krenar Llogës:

▪︎ Reagim në lidhje me të pavërtetat e z. Filkov

▪︎ Për fat të keq, zoti Filkov është vetëm nënshkrues në atë institucion, ndërsa Ministrinë e drejton znj. Radica Lazareska Gerovska, me të cilën e gjithë ministria ka komunikim të dobët.

Në kohën kur u zgjodh qeveria e re, unë isha me pushime familjare të planifikuara, për të cilat është marrë miratim nga Qeveria. U ktheva dy ditë pas zgjedhjes së tij, më 26-të, dhe disa herë e kontaktova z. Filkov me telefon dhe SMS, pastaj edhe përmes kabinetit të tij. U informova se ai do të më kontaktonte, por fatkeqësisht, ai ende mbetet i mbyllur në zyrën e tij nga shefja e kabinetit, e cila nuk i lejon komunikim.

Për ta bërë situatën edhe më tragjikomike, ai vazhdon të heshtë. Për të gjitha ato tema të rëndësishme, ai nuk ka qëndrim. Përsërit një fjali të zbrazët: “Edhe kryeministri ka të drejtë, edhe aleatët ndërkombëtarë kanë të drejtë,” duke u fshehur nga publiku dhe duke pritur një përgjigje të shkruar nga znj. Radica.

Letra nga Misioni i Vlerësimit të BE-së është marrë në mënyrë elektronike, ashtu siç e kanë marrë edhe zëvendëskryeministri Mariçiq, kryetari i L
Këshhillit Gjyqësor Sashko Georgiev dhe të tjerë. Një pjesë e letrës ishte për publikun, ndërsa pjesa tjetër e klasifikuar vetëm për ministrin. Ajo letër është arkivuar nga një punonjës i ministrisë që merret me materiale konfidenciale, por normalisht, znj. Radica nuk mund ta marrë të njëjtën pa një certifikatë sigurie. E njëjta letër, me lejen e misionit, është ndarë edhe me grupin e punës, përkatësisht me kryetarin akademik Vlado Kambovski.

Parku i automjeteve është i njëjtë me atë që kanë përdorur edhe ministrat e mëparshëm. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, mori masa për përmirësimin e sistemit të Ndihmës Juridike Falas (NJF). Në Strategjinë e Zhvillimit Sektorial për Drejtësi dhe në Planin e Veprimit janë parashikuar një sërë aktivitetesh për përmirësimin e qasjes në drejtësi, të përfshira në Objektivin e Veçantë 1.7 (faqet 38-42 të Planit të Veprimit).

Punonjësit e zyrave lokale për NJF janë të njëjtët prej vitesh dhe me të njëjtin personel kemi hapur disa zyra të reja. Konkursi i hapur për plotësimin e disa vendeve të punës u anulua nga ju, për të punësuar “njerëzit tuaj.”

Ministria nuk ka borxhe, pasi të gjitha faturat janë paguar me kohë. Në vend që të ishit të kënaqur që keni materialin që unë nuk e kisha, ju kritikoni pa arsye pse të gjitha ato materiale janë dygjuhëshe, përkatësisht edhe në gjuhën shqipe. Dyqind çadrat janë për fushatën për NJF, së bashku me Këshillin e Evropës.

Laptopi ndodhet në zyrën e PR-së, një tjetër është tek përkthyesit, skuteri është në njërën nga zyrat e NJF-së, dhe telefonat, të marrë përmes subvencioneve, janë shpërndarë tek ata që kanë punuar më shumë dhe janë regjistruar me numrat përkatës.

Për të gjitha këto pretendime, si dhe për 100-ditëshin e ministrit Filkov, do të mbaj një paraqitje publike dhe breefing me gazetarët.
E sfidoj ministrin Filkov në një debat publik, qoftë ballë për ballë, ose me pjesëmarrjen e znj. Radica nga ana e tij.