Serbia thotë se ushtarët e saj afër kufirit me Kosovën penguan kontrabandën me drunj

Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se forcat ushtarake serbe janë afruar 50 metra në kufirin me Kosovën.

Lidhur me këtë deklaratë, ka reaguar Ministria serbe e Mbrojtjes.

 komunikatën e publikuar për media, thuhet se “autoritetet e sigurisë, kanë ndërprerë kontrabandën me drunj të prerë ilegalisht”.

Kjo ministri akuzon Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.

“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”, është thënë në njoftim transmeton Klankosova.tv

Mes tjerash është përmendur që zyrtarë ushtarakë që shihen nëpër fotografi kanë qenë duke parandaluar kontrabandën.

“Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”, është thënë në reagim.