Vendit i mungon personel në gastronomi, vetëm në Kroaci punojnë 15 mijë shtetas

Në bregdetin kroat këtë verë kanë punuar 15 mijë qytetarë të Maqedonisë. Gastronomët vendor e kanë kaluar sezonin turistik me staf joprofesionist, gjegjësisht me gjimnazistë dhe pensionistë. Kjo ka rezultuar në shërbime me cilësi të dobët në shumë vende. Madje disa nga shefat janë detyruar të marrin në rolin e kamerierëve apo banakierëve. Pasojat e kësaj situate më shumë i ndjenë Struga dhe Ohri.

“Me kalimin e viteve një pjesë e stafit del në pension dhe vijnë forca të reja, kemi vite që punojmë me të rinjtë, të cilët vijnë dy-tre vitet e fundit. Edhe këtë vit tentuam të punojmë me të rinj. Ne mundohemi që fillimisht të krijojmë staf nga vendi, që është më afër turistëve dhe do ta ketë më lehtë të punuar”, tha Ana Jançeva– menaxher hoteli në Strugë.

Por Jançeva thotë se ka qenë e vështirë të kalohet sezoni me këtë personal. Zgjidhja shihej edhe në sjelljen e punëtorëve nga Nepali, Bangladeshi dhe Filipinet. Disa nga ata nuk erdhën fare ose u larguan pas një qëndrimi të shkurtër këtu, megjithëse u njoftua se vetëm në bregun e Ohrit kishte mbi 1000 punëtorë të huaj.

“Madje ata nuk na konsiderojnë si destinacion ku të mbështeten. Personeli që ka ardhur nga jashtë merr rrogë më të lartë se ata që janë këtu dhe nëse personelit tonë ia japim të njëjtën pagë që u ofrojmë të huajve, duke përfshirë akomodimin dhe ushqimin, mendoj se personeli ynë nuk do të ketë arsye të shkojë jashtë vendit”, shtoi ajo.

Gastronomët pranojnë se një nga zgjidhja e këtij problemi është rritja e pagave për punëtorët.

Rrogat që marrin punonjësit në sektorin e gastronomisë në Maqedoni janë ende shumë më të ulëta se ato në Kroaci, ku kamerierët dhe banakierët paguhen 1500 euro kurse kuzhinierët deri në 3000 euro. Sipas organizatave turistike nga Kroacia, kërkesë e shtuar për punëtorë ka edhe gjatë muajve të dimrit. Të dhënat e Agjencisë për punësim tregojnë se në Maqedoni mungesë më të madhe të punëtorëve ka në sektorin e gastronomisë dhe ndërtimtarisë dhe deri më tani janë dhënë rreth pesë mijë mendime pozitive për shtetasit e huaj kurse kuota vjetore është 20 mijë.