VLEN nuk e ka problem nëse ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, që do ta zëvendësonte balancuesin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, të dërgohet para miratimit në Komisionin e Venecias.
Propozimi i këtillë dje erdhi nga kryeministri Hristijan Micksoki, por duke e pasur parasysh se tanimë Balancuesi nuk ekziston, dërgimi i ligjit para miratimit në Komisionin e Venecias do të nënkuptonte një vakum kohor, në të cilin në shtet nuk do të ketë mekanizëm kontrolli për ndjekjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Por, sipas zv.kryeministrit Arben Fetai, vetëm dispozita kushtetuese është e mjaftueshme deri atëherë.
“Unë nuk jam i shqetësuar për vakumin që e përmendni ju. Me rëndësi është që më në fund do të sillet një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili parimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do e përkthejë në obligime ligjore për institucionet me mekanizma kontrolli dhe mekanizma zbatimi, të cilat kanë munguar deri më tani”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.
Nëse ju kuptova drejtë, ju pajtoheni që projekt-ligji para se të miratohet në Kuvend, të dërgohet në Komision të Venecias?, pyet Suad Bajrami, gazetar i Alsat.
“Unë thash që kjo është praktika dhe se marrë parasysh çështjet që preken në këtë projektligj, praktikë e mirë, praktikë ndërkombëtare është që të merret një opinion nga Komisioni i Venecias”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.
Dhe kjo nuk përbën problem që nëse ligji miratohet pas një viti?, pyeti Suad Bajrami, gazetar i Alsat.
“Po e thash, flitet për këtë ligj për vite e vite me radhë, ky ligj është i vonuar rrafsh 22 vjet. Ky ligj është dashur të sillet në momentin që kemi miratuar amendamentin 6 të Kushtetutës”, shtoi Arben Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë,
Mickoski, gjatë ditës së djeshme tha se zgjidhja e re ligjore patjetër duhet të jetë kushtetuese dhe të jetë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias, për këtë, do të dërgohet për mendim.
“Ndoshta pasi të kristalizohet dhe katalizohet zgjidhja, e cila do të jetë në bazë të propozimit ta dërgojmë për mendim në Komisionin e Venedikut që të japin ata a është në rregull apo nuk është në rregull dhe pastaj ta miratojmë, pasi atëherë do të kemi edhe një mekanizëm në atë katalizim plus i cili do të jetë në anën tonë”, tha Hristijan Micksoki, kryeministër.
Dërgimi i propozim-ligjit në Komisionin e Venecias para miratimit do të nënkuptonte që ligji nuk do të miratohet me shpejtësi. Se sa mund të zgjasë, tregon përvoja me Ligjin për Përdorim të Gjuhëve, disa nene të të cilit u dërguan për vlerësim në janar dhe mendimi erdhi pothuajse një vit më vonë, në dhjetor.