Aliti: Shfuqizimi i balancuesit, pa mekanizëm të ri është gabim

Ish ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti, në një deklaratë për Alsat vlerëson se shfuqizimi i balancuesit pa zëvendësimin e menjëhershëm me një mekanizëm më të mirë është i gabuar.

Mendoj se ka qenë e mundshme që ky mekanizëm të zëvendësohet me një mekanizëm edhe më të mirë se balancuesi, por të largohet balancuesi pa caktuar një mekanizëm më të mirë se balancuesi është e gabueshme dhe prandaj VLEN-i është duke u munduar që ta bëjë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, tha Admirim Aliti, ish ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Aliti vlerëson se nuk duhet të dërgohet propozim-ligji për përfaqësim të drejtë të dërgohet në Komisionin e Venecias që të mos krijohen gjëra burokratike dhe të zvarritet procesi i miratimit. Megjithatë, edhe nëse dërgohet, sipas tij, nuk ka ndonjë rrezik, pasi kjo është praktikë normale, ndërkaq Bashkimi Evropian mbështet përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, por nuk mbështet keqpërdorimet.

“Unë nuk mendoj se kemi nevojë ne të dërgojmë Ligjin në Komision të Venecias ose diku tjetër, ne e kemi si bazament kushtetues që duhet të kemi reprezentim të drejtë dhe adekuat. Krejt çka na duhet është mekanizëm. Deri tash ka qenë mekanizmi balancuesi, i cili ka qenë larg të qenurit ideal, megjithatë ka funksionuar. Tash duhet të kemi një mekanizëm më të mirë se balancuesi”, shtoi Admirim Aliti, ish ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Aliti, rikujton që në periudhën derisa ka qenë ministër, gjegjësisht prej janarit të vitit 2022, deri në shkurt të vitit 2023, ka pasur shumë raste kur është keqpërdorur balancuesi, gjegjësisht vetëm për t’u punësuar qytetarët kanë gënjyer për përkatësinë e tyre etnike.