VLEN: Ali Ahmeti dhe BDI nuk kanë kredibilitet moral të flasin për çështjet e shqiptarëve

Sa më shumë ulëron Bashkimi Demokratik për Integrim, aq më shumë demaskohen gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre dhe aq më thellë bien në grackat të cilat vetë i kanë ndërtuar për të varrosur kundërshtarët e tyre politikë.

E para, argumenti i Ali Ahmetit për legjitimitetin është demaskuar me faktin se të paktën tre nga deputetët e “Frontit European” nuk flasin shqip, dhe opinionit shqiptar i drejtohen në gjuhën maqedonishte!  Në këtë grup janë ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Sali Murat, deputeti milioner Ismail Jahoski i njohur si Pucko Petrol dhe deputeti Bejxhan Iljas.

E dyta, Ali Ahmeti moti e ka humbur të drejtën ekskluzive për të folur në emër të Marrëveshjes së Ohrit.  Duke qenë gjatë kohë në pushtet dhe për ta ruajtur kolltukun e tij, përgjatë viteve Ali Ahmeti ka bërë me qindra koncesione dhe deformime të definicioneve bazë të Marrëveshjes së Ohrit.  Gjatë mandatit 22 vjeçar të Ali Ahmetit, zyrtarizimi i gjuhës shqipe është kthyer në çështje pazaresh, decentralizimi i pushtetit ka degraduar në çështje banale, ndërsa i është kushtuar vëmendje vetëm pasurimit të klikës së funksionarëve të përjetshëm.

E treta, Ali Ahmeti nuk ka më kredibilitet moral të flasë për statusin e ish – ushtarëve të Ushtrisë Çlrimitare Kombëtare.  Për fat të keq, gjatë të gjitha mandateve të Ali Ahmetit janë burgosur e vrarë ish ushtarë të UÇK-së .  Nënkryetari i tij Arbër Ademi është kapur me presh për dore!  Opinioni ka parë në qarkullim kallëzimin penal që i ka bërë Arbëri shtetit për shkak të “ikjes nga arresti shtëpiak” të Blerim Ramadanit.  Përveç kësaj, të gjitha qeveritë e Ali Ahmetit deri më tani, rregullisht kanë ndarë mjete financiare për mbështetjen sociale të branitellave.  Por, asnjë qeveri e Ali Ahmetit deri më tani nuk e ka zgjidhur statusin e ish ushtarëve të UÇK-së.

E katërta, Ali Ahmeti ka investuar kredibilitetin dhe fuqinë e subjektit të tij që, përmes kontrollit të gjyqësorit, ta shpëtojë Nikolla Gruevskin nga burgu.  Fakti që Sasho Mijallkov sot është qytetar i lirë dhe të gjitha dënimet e tij u vjetërsuar sepse BDI bashkë me Krenar Llogën e ndryshuan Kodin Penal nuk do asnjë argument shtesë se Ali Ahmeti ka qenë jetësisht i interesuar dhe ka punuar për ta shpëtuar Gruevskin e për ta kthyer atë si hero nga Budapesti.

E pesta, Ali Ahmeti kishte 22 vite kohë,  gjashtë mandate qeverisëse, Ministrin për punë të jashtme dhe KRYEMINISTRIN për të zgjidhur çështjet e hapura me fqinjët dhe për ta bërë Maqedoninë e Veriut vend anëtar të Bashkimit Evropian.  Ali Ahmeti nuk ia doli.  Tani është koha që Ali Ahmeti të bëjë opozitën.  Ndërsa prioritetet dhe politikat e shtetit, si dhe orientimet strategjike të tij i përcakton qeveria.