Murtaja e Zezë në trojet shqiptare

Ardian MUHAJ

Një nga mitet që sillen vërdallë në opinionin publik shqiptar këto ditë pandemie globale është edhe ai se Murtaja e Zezë ose pandemie më tragjike në historinë e Europës nuk e ka prekur popullsinë shqiptare, pra as qytetet e fshatrat në trojet shqiptare në atë periudhë, në vitet 1348-1350. Madje ka edhe nga ata që e çojnë më tej këtë mit duke pretenduar se Murtaja e Zezë që ka prekur të gjithë botën e njohur nga Azia, në Europë e Afrikë, nuk e paska prekur Ballkanin. Ky mit i rrejshëm është thelbësor për të kuptuar një buqetë mitesh të tjera mbi historinë e shqiptarëve dhe që na e kanë turbulluar shikimin e të kaluarës sonë me syrin e logjikës.

Mungesa relative e dokumenteve bashkëkohëse mbi pasojat e murtajës në Shqipëri ka krijuar këtë përshtypje, natyrisht të gabuar, sikur trojet shqiptare nuk u prekën nga kjo tragjedi e përmasave apokaliptike. Të dhënat për kërdinë që ajo bëri në popullsinë shqiptare edhe pse të pakta nuk mungojnë. Për shembull dokumentohet se në vitin 1363 pothuajse të gjithë nënshtetasit venedikas që jetonin apo ndodheshin në Vlorë, vdiqën si pasojë e murtajës. Dokumenti që e përshkruan këtë edhe pse nuk thotë asgjë për pjesën tjetër të popullsisë, por, vetëm na thotë se të gjithë venedikasit vdiqën, nuk është se i përjashton të tjerët nga fatkeqësia, por thjesht objekt i atij dokumenti ishte fati i venedikasve. Këtë e vërteton edhe fakti se viktimë e murtajës së vitit 1363 në Vlorë u bë edhe sundimtari i saj, Jovan Komnen Asen, vëllai i mbretit bullgar Jovan Aleksandër dhe kunati i mbretit Dushan.

Dihet që vala e parë e epidemisë goditi Italinë që në dhjetor 1347 dhe u përhap në pjesën tjetër të Europës ndërmjet viteve 1348 dhe 1352. Tragjedia e epidemisë së murtajës shkaktoi vdekjen e rreth një të tretës së popullsisë europiane, pra rreth 25-30 milionë të vdekur për vetëm tre vjet. Për këtë arsye popullsia e Europës, arrin sërish në nivelin e përpara epidemisë, pra në 80 milionë vetëm në fundin e shek. XV. Kjo epidemi konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në historinë mesjetare të Europës. Murtaja rishfaqej herë pas herë në zona të ndryshme. Kështu në vitin 1382, 19 mijë vetë vdiqën si pasojë e rishfaqjes së murtajës në Venecia. Në prill të vitit 1391 Raguza ua ndaloi banorëve të saj të shkonin në Budva apo Ulqin për shkak të murtajës që ishte përhapur në këto vende. Po ashtu edhe banorëve nga Budva dhe Ulqini u ndalohej të hynin në zonën e Raguzës, dhe shkelësit e këtij urdhri dënoheshin me gjobë deri 100 dukate.

Epidemitë e murtajës nuk i kursyen qytetet shqiptare, veçanërisht ato të pellgut të Shkodrës. Kështu Balëza që dikur kishte qenë qendër peshkopate, në kadastrën e Shkodrës të vitit 1416 përmendet si një katund i thjeshtë me 25 shtëpi. Qyteti i Shasit, që në shek. XIV kishte prerë monedhat e veta, në vitin 1406 ishte në gjendje të dëshpëruar dhe peshkopi i Shasit u kërkoi venedikasve ndihmë për ta rindërtuar. Megjithatë në vitin 1443 Shasi ishte një katund i thjeshtë e në vitin 1476 përmendet si «villa de Suazzo»- fshati i Shasit.