Vërshimet në Bosnje, shkon në 20 numri i të vdekurve

Ekipet e shpëtimit vazhduan kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja në fshatin Jabllanicë të dielën pas përmbytjeve më vdekjeprurëse në Bosnje dhe Hercegovinë.

Autoritetet lokale thonë se numri i viktimave nga përmbytjet ka arritur në 20, 15 prej të cilëve në zonën e Jabllanicës, 70 kilometra në jugperëndim të Sarajevës, raporton VOA, transmeton Klankosova.tv.

Për shkak të përmbytjeve të së premtes, një gurore mbi Jabllanicë u shemb dhe rrënojat mbuluan shtëpi dhe makina në fshat.

Përmbytjet pasojnë një thatësirë të pashembullt të stinës së verës, e cila shkaktoi tharjen e shumë lumenjve dhe liqeneve dhe dëmtoi bujqësinë dhe furnizimin me ujë të zonave urbane në të gjithë Ballkanin dhe pjesën më të madhe të Evropës.

Meteorologët thanë se ndryshimet ekstreme të motit mund t’u atribuohen ndryshimeve klimatike.

Ekipe shpëtimi nga vendet fqinje dhe te BE-se u janë bashkuar përpjekjeve të shpëtimit në Bosnje.