Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor kritik për sigurinë afatgjate të BE-së

Në një dokument të publikuar nga Forumi i Sigurisë në Varshavë, Bashkimit Evropian i është kërkuar ndryshim i qasjes në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet tjera që janë të cenueshme ndaj ndikimit rus, duke e përshpejtuar rrugën e integrimit të tyre. Në pjesën ku flitet për vullnetin e këtij rajoni për t’u integruar në BE, Kosova është në mesin e shteteve me përqindjen më të lartë pro anëtarësimit.

Përshpejtimi i rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian është thelbësor për shmangien e konflikteve në Ballkanin Perëndimor, konstatohet në një raport të Forumit të Sigurisë të Varshavës, i cili këtë javë mblodhi liderë e përfaqësues organizatash nga vende të ndryshme të botës. Kërcënuese për paqen në rajon vazhdon të konsiderohet Rusia, e cila para më shumë se dy vjetësh pushtoi Ukrainën.

“Ky mjedis i ri gjeopolitik kërkon një rikalibrim të strategjisë së BE-së. Një ndryshim në qasje tashmë është i dukshëm referuar gjuhës së dokumenteve të zgjerimit dhe fjalimeve të liderëve të BE-së, ku argumentet janë gjithnjë e më shumë gjeopolitike dhe të lidhura me sigurinë. Kjo pasqyron atë se është kuptuar që fati i Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është kritik për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të BE-së”, thotë raporti. “‘Evropianizimi’ i tyre i suksesshëm duhet të drejtohet prej reformave nga poshtë-lart dhe një angazhim i fortë nga lart-poshtë prej institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare. Komuniteti Politik Evropian (EPC) mund të luajë një rol integrues këtu, duke ofruar një platformë fleksibile për angazhim më të gjerë politik me këto kombe”.

Më tej thuhet se zhvillimi i një strategjie të re për Evropën duhet të bëhet në atë drejtim që të shmangen vakumet.

“Është një proces gjeopolitik që duhet të marrë parasysh variabla përtej politikave dhe ligjeve të BE-së. Kushtëzimi i anëtarësimit në BE ishte efektiv për Evropën Qendrore dhe Lindore (EQL), por ai ka pasur ndikim shumë më të kufizuar në procesin e zgjatur të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku ndikimi keqdashës i aktorëve të jashtëm është më i përhapur. Lufta e agresionit të Rusisë ka përshpejtuar reformat e brendshme në Ukrainë, duke e shtyrë atë drejt anëtarësimit në BE”, shkruan në raport.

Sa i përket zgjerimit, raporti merr si referencë edhe një sondazh të Institutit Ndërkombëtar Republikan, që flet për disponimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pyetjes nëse jeni pro anëtarësimit në BE, nëse do të mbahej referendumi, në rastin e Kosovës 89 për qind janë deklaruar pro. Më lart se Kosova qëndron vetëm Shqipëria, me 92 për qind të qytetarëve që do të votonin pro anëtarësimit.

Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia është vendi më kundër anëtarësimit në BE, me vetëm 40 për qind të respodentëve që janë deklaruar pro anëtarësimit. 34 për qind e tyre janë deklaruar se do të votonin kundër anëtarësimit në BE, 17 për qind nuk do të votonin fare, ndërkaq 9 për qind kanë thënë se nuk e dinë.

Disa shtete të Ballkanit janë shfaqur optimiste edhe sa i përket disponimit që ekziston brenda vendeve anëtare për zgjerim me shtete të reja. 62 për qind e respodentëve nga Kosova i janë përgjigjur me “po” pyetjes nëse Bashkimi Evropian e ka seriozisht qëllimin për të ofruar anëtarësim.

Por në Serbi nuk ekziston disponimi i njëjtë, ku 54 për qind janë deklaruar me “jo”.

Forumi i Sigurisë në Varshavë është një nga konferencat kryesore evropiane që i kushtohet bashkëpunimit transatlantik përballë sfidave të përbashkëta, me theks sigurinë e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Aty mbajti një fjalim edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që tha se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për fqinjët duke përdorë modelin rus në Ukrainë. Kurti përmendi sulmin terrorist të para një viti në Banjskë të Zveçanit, tek tërhoqi analogji mes veprimeve të Rusisë dhe Serbisë.

“Në rajonin tonë nuk ekziston asnjë kërcënim më i madh se agresioni serb dhe rreziku që ndikimi rus të punojë së bashku me atë agresion. Fatkeqësisht, e njëjta Serbi që nën regjimin e Millosheviqit në vitet e ‘90 kreu gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë, vazhdon të kërcënojë pa u penduar. Vitin e kaluar, aksionet e njëpasnjëshme agresive të Serbisë kulmuan me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Militantë të armatosur të trajnuar në Serbi, me armatim prej miliona euro, hynë në vendin tonë, duke organizuar një sulm nga Manastiri Ortodoks i Banjskës”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, qëllimi i tyre ishte të përsërisnin veprimet e Rusisë në Donbas, në vitin 2014.

Organizuar që nga viti 2014, Forumi i Sigurisë së Varshavës mbledh çdo vit mbi 1500 përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare, industrisë, grupeve të ekspertëve dhe shoqërisë civile nga mbi 90 vende.