Deri në fillim të sezonit të ardhshëm veror pritet të vihet në funksion pjesa më e madhe e autostradës Ohër-Kërçovë, pjesa nga Vrbjani dhe Arbinova deri në Ohër, me një ndërprerje të vogël në afërsi të fshatit Botun, tha zv. kryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Në një konferencë për media me rastin e 100 ditëve të Qeverisë së re, Nikolloski informoi se kredia për realizimin e këtij projekti është efektive dhe mjetet janë miratuar.
Sipas tij, herën e fundit që kontraktorët kanë parë para ka qenë nëntori i kaluar dhe kjo është një nga arsyet që ka ngecur ndërtimi i autostradës.
“Pres nga 7 tetori që mjetet të vihen në dispozicion të konsumatorëve, me çka do të rritet dinamika e ndërtimit të autostradës Ohër-Kërçovë.
Në atë drejtim po bëjmë ndryshime në Ligjin për shpronësime në pjesën për procedurat e verifikimit, të cilat janë problem i madh për realizimin e projekteve infrastrukturore. Dua të njoftoj opinionin se Aneksi 6 që u nënshkrua në vitin 2023, për mjetet shtesë për ndërtimin e autostradës Ohër-Kërçovë, më në fund ka hyrë në fuqi.
Kontraktorët kishin parë para për herë të fundit nëntorin e kaluar. Që atëherë, asgjë nuk është paguar. Kush do të punonte për një vit pa para? Kjo është një nga arsyet pse ky projekt ka ngecur. Në komunikim me “Exim Bank”, arritëm të plotësojmë të gjithë dokumentacionin.
Kam marrë informacion të enjten e kaluar se kredia është efektive, mjetet janë miratuar”, tha Nikolloski. Sa i përket kredisë, ai shpjegoi se bëhet fjalë për atë që tashmë është arritur në vitin 2023 si marrëveshje.