Ministri i Shëndetësisë Taravari nuk dha garanci të plotë se si do të zgjidhet statusi i të punësuarve në institucionet publike shëndetësore. Për 2500 të punësuarit me kontrata në vepër, ai tha se ka si ide që të paktën gjysma e tyre të mund të marrin vendim të përhershme pune, por gjithsesi, theksoi se këtë çështje nuk e ka hapur ende me ministrinë e Financave. Taravari pranoi se në çdo institucion shëndetësor ka mungesë të personelit mjekësor, veçanërisht të motrave medicinale, teknikëve dhe punonjësve higjienik, por punësimet me vendim pune do të bëhen në bazë të marrëveshjes me Ministrinë e Financave.
“Ne si qeveri duhet të kemi marrëveshje me ministrinë e financave, që të shohim a ka resurse , unë jam për idenë që 1200, të paktën gjysma e atyre, ose 1250 t’i zgjidhim këtë vit, t’i japim vendim atyre që do më thonë drejtorët, pasi ata më së miri e dinë se ato që janë me kontrata cili vlen të vazhdojë dhe kush nuk është mirë të vazhdoj”, deklaroi Arben Taravari, ministër i shëndetësisë.
Taravari nuk foli asgjë për largimet e të punësuarve shqiptarë nëpër institucionet shëndetësore publike. Por, e pranoi se ka presion ndaj të punësuarve shqiptarë, por edhe maqedonas në klinikën e Kozles, por nuk e sheh të arsyeshme për të marrë masa, pa pasur konstatim përfundimtarë.
“Ka pasur edhe grup mjekësh jo vetëm shqiptarë, edhe maqedonas edhe shqiptarë që kanë ardhur, kryesisht maqedonas që kanë ardhur dhe kanë shprehur një farë shqetësimi për sjelljen e drejtoreshës, por pa mos pasur si konstatim definitiv nuk duhet të merren masa menjëherë”, u shpreh Arben Taravari, ministër i shëndetësisë.
Për problemin e kamotshëm të parkingjeve në klinikën Nënë Tereza, Taravari tha se në rrjedhë është partneriteti publiko-privat dhe shpreson që deri në fillim të vitit të ardhshëm të jetë gati.
“Procedurat nuk mund ti shpejtojmë, duhet të përmbahemi të gjithë normave ligjore, ne do të mundohemi të ky proces të jetë transparentë dhe sa më shpejtë ta përfundojmë këtë procedurë, të paktën nëse mundemi në fillim të vitit të ardhshëm të përdoren garazhet në kate. Mos më kapni për fjale pasi procedura për shpallje, e dini se zgjasin 30-40 ditë dhe nuk mund ta bëjmë që kjo të zgjasë 10 ditë”, tha Arben Taravari, ministër i shëndetësisë.
Ndërsa për lehonën që humbi jetën një javë më parë në klinikën e gjinekologjisë në Kumanovë, ministri i Shëndetësisë tha se javën e ardhshme do të dihen shkaqet e vdekjes, dhe se është formuar komisioni hetmior për të konstatuar nëse ka pasur gabim mjekësor ose jo.