Gazetar: Miki Trajkovski
Kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko i është ngritur akuzë e re, për emërimin e paligjshëm të drejtorit në shkollën fillore në fshatin Ladorishtë. Akuza e ngritur nga Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka të bëjë me punë të pandërgjegjshme.
“Edhe pse Ligji i Arsimit Fillor parashikon që ushtruesi i detyrës drejtor zgjidhet nga radhët e punonjësve të shkollës që i plotësojnë kushtet për drejtor, më 12.1.2022, i akuzuari ka caktuar person që nuk i plotëson kushtet si ushtrues detyre drejtor të shkollës në Ladorishtë, pra nuk ka pasur përvojë pune të paktën pesëvjeçare në punë edukativo-arsimore”, njoftojnë nga PTHP -Strugë.
Personi i emëruar ka ushtruar detyrën e drejtorit të shkollës nga 12 janari i vitit 2022 deri në 31 korrik të vitit 2023, periudhë gjatë së cilës i është paguar paga dhe kontributet si u.d. drejtor, me çka i është shkaktuar dëm shkollës. Kjo është shkolla e pestë për të cilën Merko është akuzuar në të njëjtën bazë.
Tashmë janë duke u zhvilluar gjykime për shkollat fillore në fshatrat Veleshtë, Podgorcë, Labunishtë dhe Vëllezërit Milladinov në Strugë. Kjo është akuza e tetë ndaj Ramiz Merkos. Ndaj tij ka edhe një proces gjyqësor për blerjen e makinës luksoze Audi A6 për 67 mijë euro dhe tre vetura të tjera për nevoja komunale. Gjykata në seancën e 2 shtatorit për këtë çështje nuk pranoi kërkesën e avokatit të Merkos për hedhjen poshtë të akuzës, pasi kanë kaluar 5 vite nga veprimi. Merko është i akuzuari i tretë në rastin në të cilin akuzohen 11 persona fizikë dhe një person juridik për ndërtimin e paligjshëm të një objekti pranë një hoteli në Strugë.
“Në korrik të vitit 2019 ka lëshuar leje ndërtimi, e cila i mundësoi investitorit të ndërtojë dhe të përfitojë përfitim pronësor – patundshmëri, respektivisht kat shtesë të objektit me galeri të hapur dhe tarracë, me sipërfaqe totale bruto prej. 513 m2 dhe vlerë e parashikuar prej 781.527 euro. Me këtë ai ka tejkaluar kufijtë e kompetencave të tij zyrtare”, thonë nga PTHP Strugë.
Gjykimi për këtë rast ende nuk ka filluar.
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka futur Merkon në listën e zezë për akuza për korrupsion, keqpërdorim të fondeve publike dhe ndërhyrje në procedurat gjyqësore. Prokuroria Publike për Alsat tha se asnjëra nga akuzat nuk është e vjetërsuar. Avokati i Merkos, Igor Petkovski një ditë më parë tha se në rastet kundër Merkos nuk ka asnjë përgjegjësi penale.