Në ditën e parë të vitit të ri akademik, kryeministri Hristijan Mickoski porositi studentët se detyra e tyre e vetme është t’i përkushtohen mësimit ndërsa Qeveria do të përkushtohet në realizimin e projekteve që synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë.
“Së pari, ne planifikojmë të modernizojmë ndjeshëm kapacitetin infrastrukturor të universiteteve tona. Tashmë po fillojmë angazhimet institucionale për rindërtimin e mëtejshëm të laboratorëve të disa fakulteteve në disa prej universitetet tona në të gjithë vendin, ku do të instalohen pajisjet dhe teknologjitë më moderne që do t’u mundësojnë studentëve të fitojnë aftësi praktike në përputhje me nevojat e industrisë bashkëkohore”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Nga ana tjetër, zv.kryeministri Izet Mexhiti tha se vetëm infrastruktura në universitete nuk mjafton. Sipas Mexhitit, është detyrë e secilit student që të studiojë, të hulumtojë, të thellojë dituritë dhe me dinjitet të përballojë sfidat të cilat i presin si qytetarë akademikë të këtij vendi.
“Si një student i viteve kur shqiptari diskriminohej e i privoheshin të drejtat gjuhësore, kulturore e identitare në atdheun e vet, dëshiroj të them se jam krenar që kohërat kanë ndryshuar. Dhe me këtë rast, më lejoni të porosis të gjithë ata politikanë maqedonas që po sfidojnë themelet e ndërtimit të shoqërisë tonë se koha e shovinizmit ka kaluar! Askund në botë nuk ndodh që të abrogohen të drejtat e fituara dhe kjo nuk do të ndodhë as në Maqedoninë e Veriut. E në rast se ndodh, ne jemi këtu për t’i siguruar të gjithë se do ta marrin përgjigjen e merituar!”, tha Izet Mexhiti, zv kryeministër.
Disa nga brucoshët që anketuam thanë se do të kenë prioritet të jenë të rregullt në fakultet dhe sigurimin e një vendi pune në vendlindje.
“Besoj që do të kaloj mirë dhe do ta kryej me sukses”, u shpreh një studente.
“Në cilin fakultet jeni? Në fakultetin e Informatikës. Gjithmonë e kam dashur informatikën, të bëhem programer. Të mësojmë, ta kryejmë fakultetin sa më shpejtë dhe të vazhdojmë me punë. A e shihni të ardhmen këtu apo jashtë vendit pas studimeve? Më shumë këtu, për këtë edhe jemi në fakultet”, tha një student.
Sipas të dhënave të fundit, nga viti në vit po shënon ulje numri i studentëve. Qendra për komunikime civile në një hulumtim thekson se për 10 vite numri i studentëve në vend është ulur për 7 mijë. Ulje më të madhe, përkatësisht rreth 22 për qind është shënuar në universitetet shtetërore, ndërsa ato private shënojnë rritje të numrit të studentëve për 56 për qind.