Opozita akuzon qeverinë se në 100-ditëshin e parë ka dështuar në të gjitha sferat

Lidhja socialdemokrate akuzon pushtetin se në 100 ditët e para ka ofruar vetëm arsyetime në vend të zgjidhjeve, izolim në vend të integrimit dhe shoqëri në të cilën dominon pasiguria. Kreu i LSDM-së Venko Filipçe, thotë se është e zymtë paralelja mes premtimeve parazgjedhore të VMRO-së dhe realitetit në të cilin ndodhet vendi. Filipçe nënvizon se Maqedonia me VMRO-DPMNE-në në pushtet po shkon në drejtim të gabuar.

“Mickoski premtonte administratë profesionale, sistem meritash, paga më të larta, luftë më e fuqishme kundër korrupsionit dhe krimit. Premtonte përgjegjësi për politikanët dhe politikë të jashtme që do të na bëjë përsëri krenarë. Deri më tani nuk realizuan asgjë nga këto premtime, ndërsa mosplotësimi i premtimeve të mëdha sjell zhgënjime të mëdha. Fituam Qeveri prej të cilës deri tani dëgjojmë vetëm arsyetime dhe fajësim të paraardhësve për secilën paaftësi të tyre. Qeveri që kryen partizim brutal me kuadro jokompetente dhe skandale të përditshme të ministrave. Nuk ka përgjegjësi për politikanët dhe funksionarët, ndërsa e vërteta është zëvendësuar me propagandë të vazhdueshme”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Lidhur me ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në rrugën euroatlantike, Filipçe akuzon qeverinë e udhëhequr nga Mickoski për kthim mbrapa dhe izolim. Filipçe vlerëson se paralajmërimet për destabilizim, janë vetëm politikë për defokusim të opinionit nga problemet reale. Ai akuzon VMRO-DPMNE-në për aleancë të fshehtë me BDI-në.

“Në muajt e parë morëm edhe përgjigje për pyetjen kyçe, e kjo është nëse vërtetë BDI shkoi në opozitë. E vërteta është se VMRO-DPMNE ka votuar më shumë ligje me BDI-në se sa me VLEN-in. Realiteti është se derisa gjatë ditës fajësohen për destabilizim të shtetit, natën në Reçicë të Vogël bëjnë marrëveshje si të votohet në Kuvend. Aleancat e fshehta politike dhe hipokrizia e VMRO-DPMNE-së mbeten veçoria e vetme e kësaj partie”, shtoi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

LSDM akuzon pushtetin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE për politika të gabuara në sferën ekonomike, ulje të pagës mesatare dhe degradim të punëtorëve.