Mjekët kanë paralajmëruar se nuk duhet të përhapet panik, sepse evidentohen viktimat me COVID 19, por kjo nuk do të thotë se ata kanë ndërruar jetë nga pasojat e COVID 19.
45 raste të reja pozitive me Covid-19 janë regjistruar nga data 23 deri më 29 shtator, ndërsa janë evidentuar dy persona të vdekur, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), të publikuar pasditen e sotme.
“Në javën e kaluar janë regjistruar të sëmurë në 10 qytete. Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Demir Hisar. Personat e prekur janë regjistruar në të gjitha grupmoshat, me numrin më të madh të rasteve të raportuara në grupmoshat mbi 60 vjeç”.
“Gjatë javës së fundit statusin e “të shëruarit” e kanë marrë 68 persona. Gjatë javës së kaluar janë raportuar dy persona të vdekur me Covid-19, nga Demir Hisari dhe Ohri, të grupmoshës mbi 65 vjeç”, thuhet në raportin e ISHP-së.
Këtë vit, deri ditën e djeshme janë regjistruar gjithsej 1669 të sëmurë dhe 23 persona të vdekur të lidhur me këtë virus.