Italia, një betejë dhe me fatin (e keq) turistik: ja si mund të vijnë të huajt

Ministri italian i Kulturës Dario Franceschini ftoi italianët dhe turistët e huaj që të vijnë dhe të kalojnë pushimet e tyre verore në Itali.

Il Messaggero shkruan se Italia po investon shumë në “turizmin e brendshëm” sepse kjo do të jetë vera e pushimeve për italianët në vendin e tyre.

Megjithatë, shtoi gazeta, qeveria po punon gjithashtu për të rikthyer turistët e huaj.

“Unë mund ta imagjinoj që, për fat të keq, turizmi ndërkombëtar do të ketë një rënie të madhe këtë verë. Si brenda ashtu edhe jashtë”, tha Franceschini, duke u bërë thirrje italianëve që të mbështesin sektorin e turizmit duke kaluar pushime në vend.

Ministri tha se ishte e rëndësishme të ishin të njëjtat protokolle dhe të njëjtat standarde shëndetësore kudo në Evropë, në mënyrë që qytetarët e vendeve të ndryshme të BE-së të udhëtonin lirshëm.

Në këtë drejtim, Italia po bashkëpunon me Gjermaninë, vendi “i cili ka më shumë turistë që vijnë në Itali”.

Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte, i cili ka njoftuar një hapje graduale në vend, po përballet me thirrje për heqjen më të shpejtë të kufizimeve në rajone më pak të prekur nga virusi, përfshirë disa zona të rëndësishme turistike.

“Le t’iu japim njëfarë fleksibiliteti kryetarëve dhe guvernatorëve, veçanërisht në zona me më pak prekje,” i tha deputeti Graziano Delrio për La Repubblica.

Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza mbron vendimin e Conte-s dhe thotë se hapi i parë duhet të jetë i përbashkët, por që më vonë mund të ketë “elementë të fleksibilitetit rajonal”.

Italia është një nga vendet më të prekura në botë me më shumë se 27,000 vdekje dhe mbi 200,000 të infektuar.

Por, nga 2,000 infeksione të reja të raportuara të martën, më shumë se 80 përqind janë përqendruar në Lombardi, Piemonte, Emilia Romagna, Veneto dhe Liguria.

Rajonet jugore, si Sardenja, Kalabria, Umbria në qendër dhe Tiroli Jugor në veri kanë shumë pak raste të reja.