Çfarë duhet të ketë një qytet për t’u konsideruar më i jetueshmi në botë?
Vjena është renditur si qyteti më i jetueshëm, sipas indeksit vjetor të hartuar nga Agjencia për të Dhënat Ekonomike, kompani simotër e gazetës së përjavshme britanike “The Economist”.
“Ky është viti i tretë rresht që Vjena është emëruar qyteti më i jetueshëm numër një në botë nga Agjencia për të Dhënat Ekonomike, duke përmbushur kritere të shumëfishta sa i takon shëndetësisë, kulturës, ambientit, arsimit dhe infrastrukturës,” –u shpreh Daniel Harper, gazetari i Euronews.
Renditja krahasoi 173 qytete, duke marrë parasysh 30 faktorë nga 100.
“Kur flasim për vlerësimet e agjencive, mendoj se këto studime apo renditje janë gjithëpërfshirëse dhe marrin parasysh faktorë si hapësira e gjelbër, transporti publik, apo infrastruktura në përgjithësi. Dhe si një person që jeton në Vjenë mund të them se është me të vërtetë një qytet shumë i jetueshëm, i cili funksionon më së miri. Vjena kombinon në mënyrë të përsosur efikasitetin e Evropës veriore me stilin e jetesës së Evropës jugore dhe ky stil përfshin një shkallë të lartë të argëtimit. Problemi nuk qëndron në faktin se çfarë mund të bësh këtu në qytet, por se çfarë dëshiron ti të bësh,” – tha Nikolaus Graser,mga Bordi Turistik i Vjenës.
Për banorët, transporti publik është një avantazh i madh, ndërsa kostoja e ushqimeve konsiderohet pak e shtrenjtë.
“Ushqimi është i shtrenjtë dhe kjo është gjëja më e trishtë këtu në Vjenë që mund të përmirësohet. Por pjesa më e mirë e qytetit është se mund të dalësh dhe të qëndrosh jashtë, pasi është qytet shumë i sigurt,” –u shpreh një grua.
E ndjekur nga Danimarka dhe Zvicra në renditje, Austria gëzon një tjetër vit si vendi më i jetueshëm në botë.