Prof. Xhemi Hajredini – 23 vjet nga aktet terroriste në SHBA

23 vjet nga aktet terroriste në SHBA

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA ishin sulmet më të mëdha ndaj Shteteve të Bashkuara. Katër aeroplanë të linjave ajrore komerciale u rrëmbyen nga 19 terroristë të lidhur me grupin Al-Kaeda. Dy aeroplanë u përplasën në Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke shkaktuar rrëzimin e tyre dhe vdekjen e mijëra personave. Një tjetër aeroplan goditi Pentagonin, selinë e Departamentit të Mbrojtjes në Uashington D.C. Aeroplani i katërt, United Airlines Flight 93, ra në një fushë në Pensilvani pasi pasagjerët luftuan për të rimarrë kontrollin. Në total, rreth 3.000 njerëz humbën jetën dhe rreth 25.000 u plagosën nga këto sulme. 11 shtatori shkaktoi pasiguri globale dhe për rrjedhojë filluan ndryshimet e mëdha në politikat e sigurisë të SHBA-së, duke përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit. Sulmet provokuan invazionin e Afganistanit, ku Al-Kaeda kishte bazat e saj. Kjo ngjarje ndryshoi për gjithmonë perceptimin e sigurisë në nivel global dhe ndikoi thellësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pas 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të riorganizuar mbrojtjen kundër kërcënimeve terroriste. Masat e sigurisë në aeroporte dhe pikat kufitare u rritën ndjeshëm, përfshirë kontrollin më të rreptë të udhëtarëve dhe bagazheve. Presidenti George W. Bush shpalli “Luftë kundër terrorizmit”, duke udhëhequr ndërhyrje ushtarake në Afganistan për të rrëzuar regjimin taliban që strehonte Al-Kaedën. 11 shtatori ndikoi gjithashtu në krijimin e politikave të reja për mbikëqyrje, përfshirë edhe Aktin Patriot, i cili zgjeronte kompetencat e agjencive të inteligjencës për të parandaluar sulme të tjera. Shtetet aleate, veçanërisht në Evropë, adoptuan masa të ngjashme sigurie dhe e mbështetën Amerikën në luftën kundër terrorizmit. Familjet e viktimave dhe qytetarët amerikanë organizuan memoriale dhe ceremoni për të nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën. Qendra Botërore e Tregtisë u zëvendësua me një kullë të re, e njohur si Kulla e Lirisë (One World Trade Center), e cila u përfundua në v. 2013. Me 541 metra lartësi, kulla në fjalë mban epërsinë e të qenurit ndërtesa më e lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
11 shtatori mbetet një nga ngjarjet më traumatike në historinë bashkëkohore të SHBA-së. Pavarësisht përpjekjeve të përbashkëta për të parandaluar sulme të tjera, terrorizmi global mbetet kërcënim i vazhdueshëm.