T’i japim Cezarit atë që i takon. E di që sot të gjithë pyesni veten, çfarë ndryshoi te Silvinjo? Po mos ndoshta ndryshoi kundërshtari, nuk po luanim me Spanjën dhe me Italinë, por me Ukrainën? Ndoshta është kjo arsyeja, ndoshta nëse nuk do të kishim atë lloj fati aq të keq në Europian do të kishim kaluar fazën e grupeve.
Gjithsesi, e shkuara është e shkuara. Ne si shqiptarë jemi emocional dhe për shkak se kemi pak gjëra argëtuese dhe që na mbushin me adrenalinë, pak gjëra të tilla të cilat janë pa pagesë dhe mund t’i shijojë edhe një i varfër ashtu si një i pasur, ndonjëherë e teprojmë me reagimet tona, por gjithcka mbetet e shëndetshme për sa kohë të gjithë ne kërkojmë të mirën e Shqipërisë dhe nuk e kthejmë në një sulm personal për të larguar Silvinjon apo dikë të tjetër.
Një duartrokitje e madhe për Silvinjon që përtej rezultatit, ka rikthyer sigurinë e madhe te Shqipëria që duket se nuk pëson kurrë gol dhe është e organizuar, një ndjesi që e kishim harruar që pas ikjes së De Biazit.
Faleminderit Silvinjo