Mërgimtarët dhe turistët nga vendi janë larguar, por në Strugë ende qëndrojnë turistët e huaj. Punonjësit turistikë janë të kënaqur me mënyrën se si po shkon vera. Sipas numrit të vizitorëve, ky do të jetë sezon i ngjashëm me vitin 2019, i cili konsiderohet më i miri deri tani.
“Në përgjithësi jemi të kënaqur me numrin e mysafirëve, por mbeten problemet që ishin në vitet paraprake. Këto janë mungesa e stafit dhe stafit cilësor. Me këtë problem duhet të përballemi në vitet e ardhshme. Sa i përket bujtjeve, ishim shumë më të mirë se në vitet e mëparshme”, deklaroi Ana Jançeva-menaxhere e hotelit në Strugë.
Jançeva shprehet se ata marrin ankesa të përditshme nga mysafirët për probleme të caktuara me të cilat rajoni përballet prej vitesh. Problemi më i madh është infrastruktura. Autostrada Kërçovë-Ohër- Strugë i cili ndërtohet tashmë dhjetë vite.
“Problemi i mbeturinave, deponive, djegies së deponive, problemi i qenve endacakë. Kjo është gjithë ajo për çka reagojnë turistët. Problemet që kanë qenë në vazhdimësi vitet e kaluara. Ka pasur reagime edhe për lypësit në Strugë. Na ka ndodhur që në dasma të shfaqen çdo ditë. Kjo është diçka me të cilën duhet të merret komuna në periudhën e ardhshme”, shtoi Ana Jançeva-menaxhere e hotelit në Strugë.
Edhe pse është shtator, moti i ngrohtë ende i bën plazhet e Strugës tërheqëse për t’u çlodhur dhe për t’u larë.
“Ka shumë njerëz. Punohet shumë në turizmin, gjë që më pëlqen. Duhet punuar në higjienën. Rrugët janë histori në vete, veçanërisht ajo që ndërtohet nga Kërçova drejt Ohrit, e cila me siguri do të rrisë çmimet këtu edhe në akomodim edhe në gjithçka tjetër. Edhe Ohri është jashtëzakonisht i shtrenjtë. Diferenca midis Ohrit dhe Strugës është vetëm 15 kilometra, ndërsa diferenca në çmime është midis 50 dhe 100%”, tha një turist.
“Ne jemi këtu çdo vit. Kemi banesë në Ohër. Shkojmë çdo ditë në plazh tjetër. Nga Shën Naumi deri në Kalishtë”, u shpreh një turist.
“Është hera e parë që jemi në Strugë. Ajo që pamë na ka mahnitur. Do të qëndrojmë gjithë ditën. Do të hamë drekë e darkë. Këtu jemi gjatë rrugës, para se të shkojmë në Greqi”, shtoi një turist.
Banorët vendas po reagojnë ndaj uzurpimit të plazheve këtë verë me shezlongë dhe çadra.
Turistët më të shumtë këtë verë në Strugë ishin ata nga Turqia dhe Polonia, por jo edhe mysafirët nga Holanda. Megjithatë, janë mërgimtarët nga të cilët Struga përfiton më shumë çdo verë. /Alsat.mk