Zëvendës kryeministri në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski, njëheri ministër për transport, në intervistën e tij të fundit ka folur edhe për ndërtimin e korridoreve rrugore në vend.
Duke folur për autostradën Shkup-Bllacë, Nikollovski ka theksuar se në trasenë e paraparë për autostradën, parcela të shumta kanë blerë funksionarë të BDI-së, transmeton Lideri.mk, me çka ka ngritur dyshime për prapavijë korruptive në ndërtimin e kësaj autostrade në trasenë e paraparë me 6 tunele.
“Funksionarë nga udhëheqësia e BDI-së janë bë pronarë të tokës ku është vizatuar traseja e autostradës së re drejt Bllacës”, ka deklaruar Nikollovski, i cili para ca kohe njoftoi se kjo trase do të rishqyrtohet dhe me gjasë autostrada do të ndërtohet në trasenë ku është rruga aktuale Shkup-Bllacë.
Të dhënat e shprehura nga Nikollovski i ka komentuar edhe ministri për politikë sociale dhe demografi, Fatmir Limani, transmeton lideri.mk, i cili madje ka paralajmëruar se “Fundi afrohet…”.
“VINI RE, VINI RE !!!
Vjeshta moj virane,
djemtë hajdutë ç’naj bane…
Vjeshtë e trishtë afrohet…, për funksionarët që përmes përvetësimit të tokave planifikonin pasurimin…
Fundi afrohet…”, ka komentuar Limani mes vargjeve.