VLEN: Përgjegjësia për dështimet në politikat e qeverisë i takon vetëm BDI-së!

Koalicioni VLEN ka shprehur keqardhje për reagimet BDI-së
lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e VLEN-it.

Koalicioni VLEN shpreh keqardhje për reagimet përplot mllef të BDI-së

lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend.

Partia në tentativë – Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila për 20
vite nuk arriti të ndërtohet si parti e mirëfilltë politike me identitet
dhe idelogji të qartë por ngeli duke bredhur herë majtas e herë
djathtas, herë si marksist-leniniste e herë si parti e gjelbërt –
varësisht se cilit partner maqedonas në qeveri duhej t’ia plotësonte
qejfin, vazhdon me reagimet frustruese dhe me nxitjen e polarizimit të
skenës politike në vend.

Këto reagime janë të pritshme dhe të
kuptueshme – një strukturë parapolitike e cila për njëzet vite qëllim të
vetëm e kishte qëndrimin në pushtet me çdo çmim, e ka të vështirë të
përballet me rolin e opozitës dhe akoma më të vështirë të përballet me
përgjegjësinë për korrupsionin politik të cilin e kishin kthyer në
standard të qeverisjes së tyre.

Si strukturë në krizë të thellë të brendshme, e çorientuar dhe në ankth
nga paralajmërimet për zbardhjen e aferave skandaloze korruptive të
zyrtarëve të saj, në vend se të fokusohet në reformimin e rradhëve dhe
pastrimin e korrupsionit, BDI vazhdon të sillet sikurse është ndonjë
faktor relevant në skenën aktuale politike të vendit.

Sa i përket reagimeve lidhur me krizën në paralajmërim që mund ta
prodhojë shfuqizimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ia rikujtojmë
partisë në tentativë, ose më saktë, partisë së pushtetit të përjetshëm –
BDI-së, këto fakte:

–       Së pari, në 20 vitet e fundit shqiptarët në pushtet i ka përfaqësuar
VETËM BDI!  Për këtë arsye, PËRGJEGJËSIA PËR DËSHTIMET NË POLITIKAT e
qeverisë i takon VETËM BDI-së dhe askujt tjetër!

–       Së dyti, BDI-ja, e ka trajtuar pushtetin si pronë të veten dhe e ka
keqpërdorur atë vetëm për t’ia siguruar vetvetes dhe funksionarëve të
saj të përjetshëm qëndrimin sa më të gjatë në pushtet!  Prandaj,
pikërisht BDI ka lejuar që Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe të hyjë
në zbatim pa u bërë i plotfuqishëm, pa u dekretuar nga Presidenti i
vendit, dhe pa u publikuar në Gazetën zyrtare!

–       Së treti, Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është miratuar në
Parlament në kohën e Presidentit Gjorge Ivanov.  Për ata funksionarë të
BDI-së që kanë memorie të shkurtër, po rikujtojmë se Gjorge Ivanov u bë
President pikërisht duke i falënderuar thirrjes publike nga selia e
BDI-së të cilën Ali Ahmeti ia drejtoi strukturës së tij për ta votuar
Ivanovin!

–       Së katërti, kaosi i shkaktuar me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe
është pasojë e drejtpërdrejtë e sjelljes kaotike dhe parapolitike të
BDI-së përgjatë 20 viteve në pushtet!  Në këtë kaos do të shtojmë edhe
të gjitha punësimet e bëra formalisht dhe pa status gjatë fushatës
parazgjedhore në mënyrë që të blejnë sa më shumë vota; të gjitha
avancimet kundërligjore nga ministrat teknikë- përsëri që të blejnë sa
më shumë vota; kaosin nëpër ministri; tenderimet kriminalo-korruptive;
blerjen e tokave nga ana e funksionarëve partiakë aty ku do të kalojnë
autostradat në mënyrë që të pasurohen edhe më shumë nga shpronësimi;
blerjen e qendrave tregtare me para të popullit që të pasurohen nipat e
liderit; futjen e bixhozit në jetët tona dhe rrënimin e parimeve
themelore të familjes së shëndoshë që të bëhen milionera ministra e
drejtorë të BDI-së; kaosin në shëndetësi në mënyrë që drejtorat e BDI-së
të jetojnë sa më gjatë në kurriz të popullit dhe kjo listë nuk ka kufi.
Shqiptarët, për fat të keq, i ka poshtëruar dhe nënçmuar struktura e
cila thirrej në vlerat madhore të gjakut dhe të dëshmorëve.  Për 20
vite, kjo strukturë që asnjëherë nuk u bë parti, ka marrë mandat në emër
të ushtarëve e dëshmorëve, por ka qeverisur në emër të një grupi të
funksionarëve të korruptuar.  Për të qëndruar në pushtet, kjo strukturë
parapolitike ishte e gatshme që ta ndryshojë stemën e shtetit, lejoi të
ndryshojë imazhi i kryeqytetit, aminoi ndryshimin e librave të historisë
e shkrimeve të Akademisë së shkencave!  Në fund, kjo strukturë
parapolitike, duke qenë në pushtet me LSDM-në, në fillim e shpëtoi nga
burgu, e pastaj negocionte kthimin si hero nga ekzili të ish
kryeministrit Nikolla Gruevski!

Për këto arsye dhe shumë e shumë të tjera të cilat do të zbardhen në
vazhdimësi, Izet Mexhiti dhe shqiptarët që kuptuan mashtrimin
kriminalo-korruptiv që po u bëhej e braktisën BDI-në, ndërsa udhëheqësia
e saj, nga dëshpërimi, e mësuar me privilegjet e pushtetit, zgjodhi që
nga një parti etnike të shndërrohet në parti multietnike!  Kriza e
identitetit me humbjen e pushtetit din të prodhojë frustracione të
rënda.