Nga Kim Mehmeti
Janë shumë perverse, neveritëse dhe të çojnë të vjellësh emisionet televizive ku ish të punësuarit e UDB-së e shpërfaqin vetveten si emblemë e besnikërisë, burrërisë dhe ndershmërisë shqiptare.
Dhe duke i dëgjuar intervistat dhe rrëfimet e tyre, sa nuk të mbushet mendja se UDB-ja na paska ekzistuar për t’i mbrojtur shqiptarët nga vetvetja dhe se, ne që dikur kemi gabuar pse nuk e kemi ndihmuar këtë ‘organizatë’ me ‘patriotë’ shqiptarë në radhët e saj, gabojmë edhe sot kur u besojmë atyre që thonë se janë dhunuar nga ‘loçat e çegranët’, e në zyrat e të cilëve jo vetëm që nuk paskan ngrënë asnjë shuplakë, por na qenkan udhëzuar si të veprojnë për të mirën e shqiptarisë?!
Po pra, ndjehesh i mjerë kur i dëgjon bashkëbisedimet e ish spiunëve profesionistë të UDB-së me gazetarët, të cilët mbase nuk e kuptojnë se sipas emisioneve të kësaj natyre, do del se shqiptarët tanë të vetëm patriotë te kohës socialiste si dhe, mbrojtës të epur të shqiptarisë gjatë Jugosllavisë së Titos, na paskan qenë të punësuarit në UDB?!
Dhe ku ta dish, me qëllim apo nga mosdija, disa gazetarë dhe disa media, e bëjnë të mundur që edhe sot, shqiptarinë ta mbrojnë ata që dikur Ish Jugosllavinë e mbronin nga ‘armiqtë shqiptarë’.
Por megjithatë, në rrëfimet e ish UDB-ash;ve shqiptarë ka diçka të vërtetë: ata e dine se cilët kemi qenë ne ‘fëmijët’ e socializmit.
Por nuk është se ne nuk e dimë se te UDB-ashët shqiptarë, punëdhënësit e tyre serbë, e kanë vlerësuar vetëm një veçori profesionale: mos ndjeshmëria e tyre ndaj vuajtjeve të popullit shqiptar!
Siç e dim se edhe sot e kësaj dite, e vërteta për ne është në dosjet e Beogradit dhe se, pas zhbërjes së Jugosllavisë, shumë ish profesionistë shqiptarë të UDB-së, u ‘dënuan’ për ‘aktivitet armiqësorë’, vetëm që ne të harronim se cilët ishin dikur dhe që ata të mund ta vazhdonin veprimtarinë e tyre ‘patriotike’ në mbrojtjen e shqiptarisë nga vetvetja! (KiKim Mehmeti