Mbrojtja e Merkos kërkon përjashtimin e gjykatëses

Gjykata sot nuk e pranoi kërkesën e avokatit të Ramiz Merkos për ta hedhur poshtë akuzën për blerjen e automjetit luksoz Audi A6 dhe tre automjeteve të tjera, pasi kanë kaluar 5 vite nga veprimi.

“Vendimi im është ta refuzoj ankesën e vjetërsimit relativ, sepse ka pasur ndërprerje, besoj se jam e paanshme dhe se veproj plotësisht me ndërgjegje dhe në përputhje me ligjin”, tha Nadica Mitrevska – gjykatëse.

Për shkak të këtij vendimi, avokati i Merkos ka kërkuar përjashtimin e gjykatëses. Vlerësojnë se në dëm të të akuzuarit është shkelur neni 5 i Ligjit të Procedurës Penale, i cili garanton gjykim të drejtë.

“Që në fillim të kësaj lënde, gjykatësi i ka shkelur të drejtat e të akuzuarit, të cilat kulmuan në seancën e sotme, pasi i njëjti gjykatës ka marrë vendim bazuar në provat që Prokuroria i ka dorëzuar në vetë gjykimin, pa iu dorëzuar mbrojtjes që të njoftohet dhe të prononcohet lidhur për të njëjtin”, shtoi Igor Petkovski – avokat i Merkos.

“Kërkesa për përjashtim është e drejtë ligjore, nëse pala vlerëson se ka hapësirë, në këtë moment do të pritet vendimi i kryetarit të Gjykatës Themelore të Strugës lidhur me kërkesën e paraqitur, ndërsa mbrojtja do të paraqesë propozim brenda 24 orësh duke dhënë detaje pse e kërkon përjashtimin tim”, tha Nadica Mitrevska – gjykatëse.

Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë dhe integritetit, si dhe në kundërshtim me interesin publik, në kushtet kur komuna kishte borxhe të papaguara dhe xhirollogari të bllokuara, i pandehuri ka prokuruar katër automjete në vlerë prej 114.000 euro, duke prokuruar përfitime pronësore për bartësin e prokurimit publik. Prokuroria Publike për Alsat tha se ndaj Merkos aktualisht janë aktive shtatë akuza dhe se asnjëra prej tyre nuk është vjetërsuar.