Në Itali do të rinisin vizitat, do të hapen parqet, fabrikat…

Italia bëri publike planet për të lehtësuar masat e izolimit, të ndërmarra shtatë javë më parë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Kryeministri Giuseppe Conte tha se masat do të lehtësohen nga 4 maji, duke u lejuar njerëzve t’i vizitojnë të afërmit e tyre “në një numër të vogël”.

Parqet, fabrikat dhe vendet e ndërtimit do të rihapen, ndërsa mësimi në shkolla nuk do të rinisë deri në shtator.

Vendimi vjen pasi Italia ka regjistruar numrin më të ulët të viktimave në 24 orë, pas disa javësh.

Autoritetet atje thanë se të dielën kanë vdekur 260 njerëz nga koronavirusi, që është numri më i ulët qysh më 14 mars.

Në total, Italia ka shënuar 26,644 viktima na koronavirusi – shifra më e lartë në Evropë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 197,675 njerëz janë infektuar atje.

Italianët janë izoluar qysh më 9 mars. Ata janë lejuar të dalin jashtë vetëm për nevoja thelbësore.

Masat e izolimit kanë nisur të lehtësohen pak më 14 prill, me rihapjen e disa dyqaneve të vogla dhe librarive.