Mercedesi i pranuar si dhuratë, i nxjerr telashe ligjore hoxhës Mazllam Mazllami

Dyshime se Hoxha Mazllam Mazllami nuk e deklaroi Mercedesin që e pranoi si dhuratë në ATK.

Një hulumtim i KALLXO.com zbulon se hoxha nga Prizreni, Mazllam Mazllami nuk e ka deklaruar në ATK pranimin e veturës dhuratë nga xhemati.

Në vitin 2023 gjatë ceremonisë së pensionimit në të cilën po merrte pjesë edhe Myftiu i Kosovës, Naim Ternava, hoxhës nga Prizreni Mazllam Mazllami i ishte bërë dhuratë një veturë Mercedes Benz.

Dhurimi i veturës ishte shëndrruar në temë debati ndësa një vit më vonë KALLXO.com pranoi një informacion që ngriste dyshime se në këtë rast kishte probleme me pagesën e tatimeve.

Sipas ligjit çdo dhuratë në vlerë mbi 5 mijë euro duhet të deklarohet në ATK dhe për të, të paguhet tatimi në të hyra, procedurë kjo që nuk është ndjekur nga imami tashmë në pension, Mazllam Mazllami.

Në vitin 2023 në rrjetet sociale u publikuan pamje në të cilat një veturë luksoze e tipit “Mercedes Benz” i ishte bërë dhuratë hoxhës nga Prizreni, Mazllam Mazllamit në ditën kur ai mblodhi miq e shokë në një iftar, në të cilin u shënua edhe pensionimi i tij.

Ndonëse hoxhë Mazllami tha se dhurata është modeste, një veturë e vjetër, por në media u publikua fotografia e veturës e tipit Mercedes.

“Jam punëtor i Bashkësisë Islame të Kosovës që 34 vite në Prizren, merrem me islam mbi 40 vite. Pasi po iki në pension, ka qenë hedije prej shokëve e miqve, të cilëve ju ka ra ndërmend të bëjnë një suprizë – makinë modeste. Është makinë modeste sepsë është e vjetër”- pati thënë hoxhë Mazllami në Debat Plus më 12 prill 2023.

Ndonëse e kishte marrë këtë dhuratë, hoxhë Mazllami të njëjtën nuk e kishte deklaruar tek të ardhurat si dhurata ashtu siç edhe e kërkon Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat Personale.

Administrata Tatimore e Kosovës ka konfirmuar se hoxha Mazllami nuk e ka deklaruar dhuratën që kishte marrë në prill të vitit 2023.

“Lidhur me pyetjet e adresuara, ju njoftojmë se zt.Mazllam Mazllami nuk e ka deklaruar veturën e dhuruar, andaj ATK është duke ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”- thuhet në përgjigjet e ATK-së.

Hoxhë Mazllami tha se është marrë vesh me ATK-në, por nuk tregoi saktësisht nëse e ka deklaruar këtë veturë.

“Na jemi marrë vesh me ta komplet, kjo punë nuk dilet në gazetë m`u bo horë një dhuratë që ma kanë dhanë. A je gazetare ti motër, kaloni mirë, kaloni shumë mirë. Nuk mundem me ju dhanë se gazetarëve nuk ju kem besë boll. Ne jemi marrë vesh, këto punë nuk dalin në gazetë, ne jemi marrë vesh me ATK-në. Po ata kanë kthyer, ne jemi marrë vesh e kemi kryer obligimin”- tha Mazllami në telefon.

Ligji për të ardhurat personale, neni 14 thekson qartë detyrimet që kanë personat fizik. Në këtë ligj përmenden edhe të ardhurat e tjera përfshirë edhe dhuratat e të cilat duhet të deklarohen.

“Dhuratat në para apo gjësende të pranuara nga rezidentët përfshihen në të ardhurat tjera, nëse dhuratat e tilla tejkalojnë shumën pesëmijë euro (5,000 €) në një periudhë tatimore”- thuhet në paragrafin 2 të nenit 14 të Ligjit për të ardhurat personale.

Më 10 prill 2023, ishin publikuar një mori fotografish në ceremoninë e cila zbuloi edhe veturën luksoze e cila iu dhurua hoxhës Mazllami në ditën e pensionimit të tij.

Atë ditë kur ishte bërë edhe dhurata, hoxhë Mazllami ishte pjesë e një iftari që ishte shtruar në Prizren me qytetarë të shumtë në mesin e tyre edhe imamë e hoxhallarë të ndryshëm.

Vetura e marrë si dhuratë sipas hoxhës Mazllami është e vitit 2013.