Flamuri shqiptar që asocon në gjuhën shqipe dhe që pas klikimit tek i njejti, informacionet në ëeb faqet e ministrive do të dalin në gjuhën shqipe ka mbetur vetëm simbolikë.
Kjo pasiqë shumica e ministrive që udhëhiqen nga VMRO-DPMNE-ja kanë fillur tashmë të flasin, shkruajnë e informojnë qytetarët vetëm në gjuhën maqedonase, askund pothuajse nuk figuron gjuha shqipe.
Veç kësaj edhe memorandumet që dalin nga këto ministri janë vetëm në gjuhën maqedonase që në të kaluarën kanë qenë në dy gjuhë.
Për këtë problematikë, Klan Maqedoni tentoi të flasë me drejtorin e Inspektoratit Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, i njëjti u arsyetua se është në mbledhje dhe se nuk mund të flet, por deri në këtë moment përgjigje nuk kemi.
Nga ana tjetër, ish drejtori i inspektoratit, Fatmir Iseni në një prononcim për Klan Maqedoni ka deklaruar se drejtori ka të drejtë të kryej mbikqyrje të jashtëzakonshme në institucionet të cilat nuk e respektojnë ligjin e gjuhëve.
“Inspektimet janë të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Të rregullta janë inspektimet që parashihen në bazë të planit mujorë. Inspektimet e jashtëzakonshme janë inspektime me iniciativë të qytetarëve. Mbikqyrje të jashtëzakonshme inspektuese kryehen edhe me urdhër me shkrim të drejtorit të organit”, tha Iseni
Iseni thotë se të gjithë qytetarëve të cilëve u cenohet e drejta që e kanë të garantuar me ligj dhe kushtetutë kanë të drejtë të bëjnë ankesë online në Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve ose në mënyrë direkte tek arkivat e inspektoratit.
Kujtojmë, Inspektorati për përdorimin e gjuhëve si institucion u krijua për të inspektuar institucionet shtetërore nëse respektojnë ose jo ligjin e gjuhëve. Në rast se gjatë inspektimit të rregullt, vërehet se institucioni ka bërë shkelje, inspektorati shqipton vërejtje për të njëjtin. Pas vërejtjes pason mbiqkyrja kontrolluese, nëse edhe në këtë rast vërtetohet se institucioni nuk ka vepruar në bazë të vërejtjes së inspektorëve dhe rikonfirmohet shkelja, fillon procedura kundërvajtëse kundër institucionit . /tvklan.mk